Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takime në Austri me homologët e Europës Juglindore


Në kuadër të projektit rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, zhvillon diskutime për çështje konkrete me homologët e Ballkanit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, diskutoi në Vjenë (Austri) me homologët e tij të Europës Juglindore lidhur me bashkëpunimin konkret në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Z. Llalla gjendej në Vjenë në datat 24-25 Mars 2013, në kuadër të Projektit rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”. Në kuadër të këtij projekti, prokurorë të atashuar nga vendet anëtare të Bashkimit Europian (Republika Çeke, Gjermani, Slloveni dhe Hollandë) kanë mbështetur prokuroritë e Përgjithshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në marrëdhëniet ndërkufitare, duke i këshilluar për çështje konkrete.
Gjatë aplikimit të këtij Projekti, në të cilin edhe Prokuroria shqiptare ka qenë përfituese e drejtëpërdrejtë, është diskutuar mbi përmirësimet e organizimit institucional dhe kuadrit ligjor për ndihmën e ndërsjelltë juridike, nëpërmjet takimeve dhe trajnimeve të prokurorëve nga vende të ndryshme.
Në këtë kuadër, takimi i organizuar në kryeqytetin austriak kishte për qëllim diskutimin mbi arritjet e përbashkëta, situatën aktuale dhe identifikimin e prioriteteve për të ardhmen.
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, duke përfituar nga ky organizim, zhvilloi takime të veçanta me homologë të tij nga disa vende ballkanike, lidhur me çështje konkrete, për të cilat është e nevojshme një koordinim i shpejtë dhe efikas. Nga të gjithë bashkëbiseduesit, u vlerësua angazhimi i autoriteteve shqiptare të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar, si edhe u ra dakord për forcimin e mëtejshëm të raporteve ndërinstitucionale.

 

Data 25.03.2014