Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takime për antikorrupsionin dhe krimin ndërkombëtar në Azerbajxhan


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla mori pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Korrupsionit-standartet ndërkombëtare dhe eksperiencat kombëtare”, zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, të organizuar nga Këshilli i Europës, me pjesëmarrjen e Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Ministrave të Drejtësisë të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO).

Në kuadër të konferencës, zhvilluar në datat 1-2 Korrik 2014, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë zhvilloi diskutime me homologë të tij nga Europa lidhur me implementimin e ligjeve antikorrupsion, rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe goditjes së korrupsionit.
Z. Llalla zhvilloi një takim të veçantë edhe me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Azerbaxhanit, z. Zakir Garalov. Diskutimet ndërmjet dy zyrtarëve kishin një vlerë të veçantë, nisur në intensifikimin e ndjeshëm të frymës së bashkëpunimit institucional dhe ekonomik ndërmjet vendeve tona.

Prokurori i Përgjithshëm i S hqipërisë i prezantoi z. Garalov masat që po ndërmerren nga institucionet, kryesisht përsa i përket goditjes së krimit të organizuar, krimit ekonomik dhe atij ndërkombëtar.
Gjithashtu, z. Llalla zhvilloi bisedë edhe me z. Fuat Alazgarov, Këshilltar i Presidencës së Azerbaxhanit për çështjet e korrupsionit.

 

Data 02.07.2014