Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, takim me Kryeprokurorin e SHBA, z. Holder

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë po zhvillon takime me zyrtarë të lartë në Departamentin e Drejtësisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Diskutime për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror për luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, është pritur në një takim nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Eric Holder, në zyrën e tij në Uashington D.C, ku është diskutuar mbi çështje që përbëjnë interes hetimor për dy vendet.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë e njohu homologun e tij mbi rezultatet konkrete të prokurorisë dhe shtetit shqiptar në përgjithësi në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit vendas.

Për z. Llalla, ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj prokurorisë shqiptare ka qenë dhe vijon të ketë një rol kyç në forcimin e pavarësisë dhe në rritjen cilësore të hetimeve.
Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, sidomos për kriminalitetin që i kalon kufijtë e kontinenteve.

Z. Llalla prezantoi punën e kryer nga institucionet shqiptare për goditjen e personave që merren me rekrutimit të shtetasve shqiptarë dhe ballkanike për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë Europës. Gjithashtu, z. Llalla i prezantoi homologut, z. Holder, edhe angazhimin e prokurorisë shqiptare për të forcuar koordinimin e strukturave hetimore rajonale në hartimin e strategjive të përbashkëta në parandalimin dhe goditjen e kësaj problematike, e cila ka shtrirje në vende të ndryshme europiane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur zyrtarisht vlerësimin e tyre për rezultatet konkrete të autoriteteve shqiptare në goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm për konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme. Kjo u theksua edhe nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, z. Holder, në takimin e zhvilluar ditën e sotme (dt. 29.10.2014) me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të personave. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vlerësimin për angazhimin e Prokurorisë Shqiptare në goditjen gjatë vitit 2014 të një rrjeti personash që u siguronin shtetasve të ndryshëm shqiptarë kalim të paligjshëm të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke vënë theksin se Amerika është shtet i mundësive, por duke respektuar rregullat, autoritetet amerikane e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e prokurorisë shqiptare në hetimin dhe goditjen e grupeve që synojnë të thyejnë ligjet e vendit për emigracionin.

Pas takimit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, i cili zgjati rreth 60 minuta, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Llalla, po vijon takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, të Byrosë Federale të Investigimit (FBI), Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe një takim të veçantë me Këshilltarin e Lartë për antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke, i cili pak ditë më parë zhvilloi takime me zyrtarët e lartë shqiptarë në Tiranë.

Këto takime të nivelit të lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, janë pjesë e një axhende të posaçme, të koordinuara me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes së z. Llalla në konferencën për “Korrupsionin dhe Mitmarrjen Ndërkombëtare”, e cila ka nisur në Uashington ditën e Hënë (27.10.2014) dhe vijon për disa ditë. Në këtë konferencë, zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës diskutojnë për forcimin e mekanizmave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër korrupsionit.

 

Data: 29.10.2014