Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, takim me zv.prokurorin e Barit, z. Cardinali


Prokuroria e Barit, Itali, i shpreh falenderimet Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë për bashkëpunimin në një kohë shumë të shpejtë lidhur me hetimin për incidentin e tragetit Norman Atlantic, i cili hyri në ujërat territoriale shqiptare pasi pësoi avari të rëndë në dt. 28.12.2014

Zv.Prokurori i rajonit të Barit (Itali), Ettore Cardinali i shprehu falenderimet Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla për angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë shqiptare në lejimin e sekuestrimit nga ana e autoriteteve italiane të anijes Norman-Atlantic, e cila pësoi avari të rëndë në fund të muajit Dhjetor 2014 dhe hyri në ujërat territoriale shqiptare, pasi kishte humbur kontrollin mekanik, hyri në ujërat territorial shqiptare.

Këto vlerësime, prokurori i Barit i prezantoi gjatë një takimi të zhvilluar gjatë ditës së Premte (dt. 09.01.2015) në Prokurorinë e Përgjithshme, në Tiranë, ku ishte i shoqëruar nga zyrtarë të Guardia di Finanza, Kapiteneria e Barit dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Gjithashtu, zyrtarët e drejtësisë italiane kërkuan sërish ndihmën e autoriteteve gjyqësore shqiptare për ndihmë juridike për sekuestrimin e një varke shpëtimi të tragetit Norman Atlantic, e cila pas incidentit të rëndë ka mbetur e bllokuar në grykëderdhjen e lumit Seman, në Fier, në dt. 29.12.2014. Në këtë varkë shpëtimi, autoritetet italiane besojnë se ka prova që mund t’i shërbejnë hetimit të nisur tashmë prej tyre. Nga verifikimet e Policisë së Shtetit, është konstatuar se nuk kishte asnjë shenjë apo gjurmë për shtetas të dëmtuar apo të mbytur.

Sot, më datë 09.01.2015 po merren të gjitha masat për ekzekutimin e kësaj letër-porosie nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, duke marrë shkas edhe nga komunikimi intensive ndërmjet dy strukturave hetimore, si ai në rastin e tragetit Norman Atlantic, garantoi gjatë takimit zotin Cardinali se prokuroria shqiptare do të vijojë të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me autoritetet italiane për çdo rast hetimi të përbashkët, ku një vend kryesor e zë lufta kundër kriminalitetit që prek  të organizuar.

Prokuroria Shqiptare dhe Prokuroria e Barit zhvilluan procedura urgjentë për sekuestrimin e anijes me flamur Italian, Norman Atlantic, më të cilën u konstatua  avari e rëndë në datën 28.12.2014 në detin Adriatik. Anija, pasi humbi kontrollin, u afrua në ujërat territoriale shqiptare. Nga avaria në traget, deri më tani, janë konfirmuar zyrtarisht të vdekur 10 pasagjerë, ndërkohë që Prokuroria e Barit po zhvillon hetime për shkakun e këtij incidenti të rëndë detar.
Në datë 29.12.2014, pra vetëm një ditë pas konstatimit të avarisë, autoritetet gjyqësore të Barit kërkuan sekuestrimin e anijes për qëllime hetimi, në bazë të një kërkesë për ndihmë juridike, dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë.

Në bazë të veprimeve të shpejta, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, kërkesa iu dërgua për veprim Prokurorisë së Vlorës, e cila e paraqiti kërkesën në gjykatë. Në datë 30.12.2014, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës për lejimin e sekuestrimit të anijes nga ana e autoriteteve italiane. Pas këtyre procedurave ligjore, autoritetet italiane e tërhoqën tragetin Norman Atlantic drejt portit të Brindizit.

Prokurori i Barit, z. Volpe, pak ditë para vizitës së sotme të zëvendësit të tij në Tiranë, më konkretisht në dt. 02.01.2015, i dërgoi një letër falenderimi Prokurorisë Shqiptare, në të cilën shprehte vlerësimin për bashkëpunimin e treguar nga ana e autoriteteve gjyqësore shqiptare për lejimin e menjëhershëm të ekzekutimit të urdhërit për sekuestrimin e anijes nga ujërat territoriale shqiptare, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të rëndësishëm për vijimin e hetimit.

Date 09.01.2015