Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, takon ministrin e Brendshëm të Kosovës, z. Hyseni

Lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe ndërkufitar ishte në qendër të bisedimeve gjatë takimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla dhe Ministrit të Brendshëm të Kosovës, z. Skënder Hyseni


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, priti në një takim Ministrin e Brendshëm të Kosovës, z. Skënder Hyseni, në të cilin u shprehën vlerësimet për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet autoriteteve hetimore shqiptare në të dy anët e kufirit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit në kohë reale të informacionit për persona të përfshirë në vepra kriminale, me qëllim evidentimin dhe goditjen me efikasitet të personave që përfshihen në veprimtari të paligjshme.

Duke u ndalur në rezultatet konkrete të veprimeve hetimore, z. Llalla theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore dhe Prokurorisë për të dokumentuar në çdo rast me prova të plota përgjegjësinë penale të individëve dhe grupeve kriminale që shfrytëzojnë lehtësirat kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për të zhvilluar aktivitetin e tyre të paligjshëm.

Në këtë kuadër, z. Llalla vlerësoi komunikimin korrekt të Prokurorisë Shqiptare me Prokurorinë e Shtetit të Kosovës, si edhe shprehu bindjen se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet policisë dhe organeve hetimore kosovare në përballimin e sfidave të mprehta kriminale do të vijojë të jetë ndihmesë edhe për autoritetet hetimore të Shqipërisë.

“Shqipëria dhe Kosova gjenden në një zonë gjeografike vulnerabël ndaj grupeve kriminale dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme koordinimi dhe bashkëveprimi i ngushtë i agjencive ligjzbatuese për të pasur suksesin e kërkuar”, u shpreh z. Llalla

Data 30.01.2015