Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takim me gazetarët

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takim me gazetarët 

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela zhvilloi dje një takim me përfaqësues të medias në Prokurorinë e Përgjithshme. Në takim u fol mbi problemet që lidhen me aktivitetin e prokurorisë dhe raportet e saj me median, transparencën dhe etikën e komunikimit.

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela paraqiti mes të tjerave edhe disa prioritete që Prokuroria e Përgjithshme do të ketë për vitin 2020. Ai theksoi se prioritare do të jetë ndërtimi i një sistemi të monitorimit të çështjeve që lidhen me zbatimin e ligjshmërisë, pavarësinë dhe transparencën, të drejtave të subjekteve të procedimit penal etj, dhe ndërtimi i mekanizmave të komunikimit me KLP dhe ILD.

Prokuroria e Pergjithshme do të synojë realizimin e një projekti që do të ketë si objektiv rritjen e efiçensës në çështjet që lidhen me pastrimin e produkteve penale, ndërmarrjen e hapave konkret në drejtim të koordinimit institucional dhe një përqasjeje të re të organeve ligjzbatuese në këtë drejtim.

Prokuroria e Përgithshme do të nxisë procesin e digjitalizimit në aktivitetin e prokurorisë në funksion të reduktimit të kohës që nevojitet për kryerjen e hetimeve dhe modernizmit të procesit në tërësi, duke synuar zgjerimin  aksesit dhe komunikimit online ne bazat e të dhenave të operatorëve të ndryshëm.

Kryeprokurori z.Olsian Çela theksoi se Prokuroria e Përgjithshme do të mbështesë gjithashtu nisjen e një projekti për vlerësimin e efiçensës së politikave penale të aplikuara në vend me qëllim uljen e nivelit të kriminalitetit. Kjo do të kërkojë mundësimin e hartimit të modeleve statistikore të unifikuara dhe do të sjellë përpunimin e raporteve të besueshme mbi vlerësimin e rreziqeve nga kriminaliteti në të ardhmen. 

Përmes këtij procesi do të synohet rritja e efektivitetit të drejtësisë penale duke marrë në konsideratë dhe aspektet financiare dhe sociale. Realizimi i këtij projekti do të kërkojë një angazhim të madh në rrafshin institucional, atë akademik si dhe ndihmën e misioneve ndërkombëtare të asistencës ligjore. Prokuroria e Përgjithshme do të jetë promotore e realizimit të tij dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. 
.
Në përfundim Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela i uroi  përfaqësuesit dhe punonjësit e mediave në vend një Vit të Ri të mbarë në planin personal dhe profesional.

takim me gazetaret1