Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela realizoi sot një takim në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj.

Ai u shprehu atyre vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet. Njëkohësisht ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela vuri theksin gjithashtu edhe tek kuadri i ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve. Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie.

Mes të tjerash Prokurori i Përgjithshëm z.Çela u shpreh se rezultatet e hetimit në çështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim.

Në fund ai u uroi suksese në karrierën e mëtejshme prokurorëve, duke shprehur besimin se kontributi i tyre do të jetë i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.

krimeterenda1

kr2

kr3