Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku hap Mbledhjen Përgjithshme të Prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KLP -së

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku hap Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KLP -së

Të nderuar kolegë,
Të nderuar të ftuar,
Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne. Sot nis një epokë e re për sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe sistemin e prokurorisë në veçanti.
Me votat tona ne do të vendosim se, cilët do të jenë përfaqësuesit tanë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Me votat tona ne do t’i japim jetë këtij këshilli.

Sot krijohet më në fund institucioni i qeverisjes së prokurorisë.
Sot i hapet rrugë krijimit të SPAK-ut dhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat.
Sot ne u tregojmë të gjithëve që ne e kemi seriozisht dhe se reformën në drejtësi nuk e kemi vetëm në letër, por po e jetësojmë atë.
Sot ne jemi një hap më afër qytetarëve të këtij vendi, të cilët presin me padurim një drejtësi të re, të së ardhmes, një drejtësi që nuk shitet e nuk blihet.

Sot ne jemi një hap më afër integrimit.
Jam e bindur që në fund të kësaj dite, do të ndihemi më mirë.
Prandaj le ta përjetojmë së bashku, duke filluar me përshëndetjet dhe fjalët inkurajuese të disa prej miqve tanë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që kanë mbështetur vazhdimisht sistemin e drejtësisë në Shqipëri.