Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku merr pjesë në analizat vjetore të Prokurorive të Rretheve Gjyqësorë dhe Prokurorive të Apelit

Përfunduan analizat vjetore të punës në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësorë dhe Prokuroritë e Apelit në Shqipëri

Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku morri pjesë në analizat vjetore të Prokurorive të Rretheve Gjyqësorë dhe Prokurorive të Apelit

Analizat synuan shpjegimin dhe gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problematikave të vërejtura si dhe për forcimin e luftës kundër paligjshmërisë, korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ndërkombëtar dhe të gjithë llojet e trafiqeve.

Në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësorë Shkodër, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Korçë, Tiranë, Prokurorisë për Krimet e Rënda si dhe të Apelit, mori pjesë Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, znj.Arta Marku.

Në analiza kanë marrë pjesë drejtuesit e prokurorive përkatëse të Shkallës së Parë dhe të Apelit si dhe të ngarkuarit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me agjencitë ligjzbatuese, duke vërejtur nevojën e paraqitshmërisë së hallkave me mangësi, Kryeprokurorja znj.Arta Marku çmoi pjesëmarrjen në analiza të titullarëve të gjykatave dhe policisë, si një praktikë që ka çaluar dhe e duhura për të mos u ndarë përpara qëllimit të përbashkët në luftë kundër krimit.

Pa e ndarë, por duke e theksuar problematikën  për secilën prokurori znj.Marku dha mesazhet për vendosmëri dhe palëkundshmëri, fuqi dhe bashkëpunim me çdo institucion, përveçse mes prokurorëve, policisë gjyqësore dhe agjencive ligjzbatuese në përballjen me format e shumëllojshme të shkeljeve të ligjit.

Kryeprokurorja znj.Arta Marku merr pjesë në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorisë së Apelit Tiranë:

“Rezultojnë dukshëm, hetime pa cilësi, sporadike të paorganizuara dhe me mungesë vizioni për t’u fokusuar në prioritetet që ka patur dhe ka prokuroria në luftën kundër krimit”

“Kjo analizë vjetore zhvillohet në një moment kur po implementohen ndryshimet kushtetuese dhe prokuroria është në proces të plotë reformimi.
Siç rezulton nga të dhënat e raportit që u analizua sot, në dimensionin cilësor rezultojnë dukshëm, hetime pa cilësi, sporadike të paorganizuara dhe me mungesë vizioni për t’u fokusuar në prioritetet që ka patur dhe ka prokuroria në luftën kundër krimit.

Prokurorët me kurajo dhe guxim duhet të fokusohen tek hetimi i çështjeve me karakter sensitiv dhe impakt në publik, si korrupsioni në të gjitha fushat dhe nivelet e çfarëdo lloji, abuzimi me pushtetin nga nëpunësit publikë, lufta kundër drogës dhe grupeve kriminale që organizojnë dhe financojnë kultivimin, shpërndarjen e drogave në qytetin e Tiranës.

Identifikimin dhe hetimin e personave me rekorde kriminale, me pasuri e stil jetese që nuk reflektojnë të ardhurat e tyre të ligjshme. Kjo, me qëllim krijimin e kushteve për të regjistruar çështje penale për “Pastrim të produkteve kriminalë” dhe ndëshkimin e subjekteve aktive, por dhe sekuestrim dhe konsfikim të asteve të vëna me burime kriminale.

Duhet të rritet bashkëpunimi me shërbimet e policisë gjyqësore për të analizuar çështjet e vjetra të pezulluara, me qëllim rifillimin e tyre dhe ndëshkimin e autorëve, si një fillim i mirë për të rritur besimin e publikut tek agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet e drejtësisë.
Njëkohësisht nxisim prokurorët për të filluar hetime kryesisht, duke shfrytëzuar çdo informacion që mund të merret nëpërmjet mediave apo burimeve të ndryshme informative.

Pavarësia e prokurorit ashtu siç dhe jam shprehur edhe në takime të tjera me prokurorët është një prerogativë kushtetuese dhe ligjore që duhet ushtruar me përgjegjësinë më të  madhe nga çdo prokuror i çdo niveli qoftë. Është një prerogativ që ju shumëfishon obligimin për  t’u thelluar në ushtrimin e përgjegjësive Tuaja në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës”.