Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku priti zv/presidentin e Zyrës Federale Kriminale Gjermane

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku priti zv/presidentin e Zyrës Federale Kriminale Gjermane

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku priti zëvendëspresidentin e Zyrës Federale Kriminale Gjermane (BKA), z.Peter Henzler dhe delegacionin që e shoqëronte.

Zyrtarët gjermanë u angazhuan për bashkëpunim në të gjitha rastet konkrete të ndodhura në Gjermani, kurse prokuroria që të plotësohet dokumentacioni dhe kërkesat e duhura ligjore.

Rëndësi të veçantë iu dha krijimit të Njesive të Përbashkëta Investigative me shtetin gjerman dhe forcimit të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Projekti ORKA i policisë gjermane do të ketë orientim kombëtar dhe ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar shqiptar, me fokus narkotikët dhe hetimet pasurore / konfiskimin e aseteve kriminale.

Nevoja për t’u marrë intensivisht me këtë projekt lindi nga rritja e numrit të veprave penale në fushën e narkotikëve, ku të dyshuar janë shtetas shqiptarë.

Grupet kriminale shqiptare janë të konsoliduara mirë në Republikën Federale të Gjermanisë dhe ndërkohë po luajnë krahas trafikimit të kanabisit një rol dominues edhe në trafikun e heroinës dhe kokainës.

Në delegacionin gjerman bënin pjesë Drejtoresha e Departamentit për Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar në BKA, znj. Dr. Sabine Vogt, Drejtori i Lartë i Krimeve z. Ralf Keppler nga Zyra Kriminale e Landit në Shtutgart (Drejtor i projektit operativ ORKA), Drejtori i Krimeve në BKA z.Sven Radke, Drejtor i Sektorit për Mbështetjen Policore Ndërkombëtare (mbështetje me teknikë, trajnime, konsulencë) dhe Komisari i Lartë i Krimeve zoti David Schenke nga Protokolli i Kabinetit të Presidentit të BKA-së.