Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, zonja Arta Marku, finalizon marrëveshjen e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust.

Prokurori i Përgjithshëm, zonja Arta Marku, finalizon  marrëveshjen  e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust.

Në 1 Nëntor 2019  Prokurori i Përgjithshëm zonja Arta Marku finalizoi  marrëveshjen  e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust, një proces i cili ka zgjatur prej vitesh.

Kjo u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional veçanërisht midis Prokurores së Përgjithshme zonjës Arta Marku  dhe Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë së Drejtësisë në rolin koordinues dhe nënshkrues të Marrëveshjes, si dhe me asistencën e Projektit IPA/2017 “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor”.

Një nga kushtet kryesore të Marrëveshjes së nënshkruar midis palëve në 5 tetor 2018, ishte garantimi i një niveli të mjaftueshëm mbrojtjeje për të dhënat personale gjatë shkëmbimit të informacionit hetimor në kuadër të luftës kundër krimeve të rënda, veçanërisht krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Për përmbushjen e këtij kushti, Prokurori i Përgjithshëm dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënshkruan më 25.02.2019 një plan veprimi me masa konkrete.

Prokurori e Përgjithshëm zonja Arta Marku mori të gjitha masat e nevojshme për adresimin e rekomandimeve dhe sigurimin e kushteve të duhura për implementimin e Marrëveshjes me Eurojust, duke hartuar aktet e nevojshme nënligjore për përcaktimin e procedurave administrative në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale në shkëmbimin e informacionit midis Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust.  Prokurori e Përgjithshëm zonja Arta Marku siguroi kushtet e nevojshme teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale dhe realizoi një sërë ndryshimesh në politikat e përpunimit të ligjshëm, të sigurt dhe konfidencial të të dhënave personale në kuadër të plotësimit të kritereve të parashikuara në marrëveshje.  

Zyra e Komisionerit ka ofruar kontributin e saj, duke qenë pjesë e takimeve dhe negociatave të realizuara me Eurojust; asistencë dhe mendim ligjor në lidhje me hartimin e draftit të Marrëveshjes për pjesën e mbrojtjes së të dhënave personale, mendime mbi aktet rregullatore në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale për institucionet e përfshira në zbatimin e kësaj Marrëveshje, etj.

Në vijim të masave të ndërmarra u realizua edhe misioni final monitorues i ekspertëve të Eurojust, i cili rezultoi me një raport vlerësimi pozitiv për arritjet e përbashkëta ndërinstitucionale.

Në këtë kuadër, shprehim konsideratën maksimale për angazhimin e Zyrës së Komisionerit, Ministrisë së Drejtësisë dhe projektit IPA/2017 “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor” dhe bashkëpunimin e frytshëm që besojmë se do të vijojë suksesshëm gjatë implementimit të kësaj Marrëveshje.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust dhe pranimi zyrtarisht i Shqipërisë në Eurojust, është një sukses i madh në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar dhe me një rëndësi të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

fotoeurojust