Njoftime për Shtyp

Prokuroria: Do të forcojmë besimin e publikut

  Prokuroria: Do të forcojmë besimin e publikut

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka qenë i drejtëpërdrejtë në takimin e organizuar me prokurorët e Republikës së Shqipërisë, ku i ka kërkuar të jenë të angazhuar maksimalisht në forcimin e besimit të publikut ndaj institucionit të akuzës. Në të kundërt, “cilido që nuk pranon këtë filozofi, të krijojë hapësira për punonjës të devotshëm”.
Z. Llalla prezantoi prioritetet e tij në një takim, ku ishte i pranishëm Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, i cili nga ana e tij ritheksoi mbështetjen e kreut të Shtetit për aktivitetin e pavarur të prokurorisë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të çdo natyre.
Prokurori i Përgjithshëm iu referua sfidës antikorrupsion si një ndër më madhoret e shoqërisë shqiptare dhe të institucionit të akuzës në veçanti.
“Pak ditë më parë u publikua Raporti i Perceptimit nga organizata Transparency International, në të cilën Shqipëria rezultonte me shifra negative përsa i përket korrupsionit. Natyrisht, një vend të rëndësishëm në këtë perceptim negativ të qytetarëve ka edhe organi i Prokurorisë. Për këtë arsye, duke pranuar përgjegjësitë institucionale, do të angazhohem maksimalisht për të përmirësuar veprimtarinë e organit të akuzës”, u shpreh z. Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm e vlerësoi pozitive shprehjen e vullnetit të Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, duke e cilësuar si një ndihmesë të madhe për punën e institucionit. “Është detyrë e Prokurorisë të justifikojë vullnetin e ligjvënësit për të vendosur para drejtësisë zyrtarë të të gjitha niveleve që përfshihen në veprime korruptive”, theksoi z. Llalla.  
Prokurori i Përgjithshëm u angazhua se do të ndiqet me prioritet çdo rast abuzimi me pushtetin publik, duke filluar nga vetë kontrolli pranë institucionit që drejton: “Prokuroria e Përgjithshme do të ndjekë me përparësi çdo rast të dyshuar veprimtarie të paligjshme nga cilido qytetar, duke filluar që nga prokurorët. Do të përdoren mjetet më të sofistikuara të mbledhjes së fakteve, kjo në bashkëpunim edhe me Policisë e Shtetit e shërbime të tjera të specializuara për të realizuar vetëpastrimin e strukturës. Gjithashtu, do të aplikohen standartet e komunikimit perëndimor me publikun, ku do të aktivizohen rrugët alternative të komunikimit, nëpërmjet postës elektronike apo numra pa pagesë, në të cilët qytetarët do të bëjnë denoncimet e tyre për pakënaqësitë apo shkeljet gjatë punës së prokurorisë. Këto shqetësime të publikut do të merren në kohë reale nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ju siguroj që do të ndiqen me përparësi”, theksoi z. Llalla.
Më tej, drejtuesi i prokurorisë shprehu qëndrimin e tij lidhur me mënyrën e deritanishme të punës në institucion dhe theksoi risitë që pritet të sjellë në krye të mandatit të tij: “Konstatohet rënia e besimit ndaj institucionit të akuzës edhe nga vetë prokurorët. Aktualisht, në organikën e institucionit ka prokurorë të rinj, të arsimuar nga Shkolla e Magjistraturës apo në universitete të huaja, të cilët nuk gjejnë terren për të aplikuar njohuritë e tyre. Krimi njeh dita-ditës sofistikime, të cilat kanë nevojë për reagim më të specializuar nga ana e prokurorisë për të përballuar sfidat e reja.”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.