Njoftime për Shtyp

Prokuroria: Policia Shkencore ka nevojë urgjente për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike për të ndihmuar hetimin

Prokuroria Shqiptare vlerëson se Policia Shkencore, struktura e specializuar për kryerjen e ekspertizave për hetimet penale, ka nevojë urgjente për forcimin me kapacitete njerëzore dhe teknologjike.

Mungesa e ketyrë kapaciteteve, aktualisht po bëhet shkak për vonesa në hetime të rëndësishme të Prokurorisë Shqiptare, ku, ndër të tjera janë edhe hetimi për ato që konsiderohen si “serveri i Tatimeve” dhe “pajisja e përgjimit në Ministrinë e Mbrojtjes”.
Ky ka qenë qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme, prezantuar nga Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, z. Kosta Beluri, në takimin “Forcimi i kapaciteteve të Policisë Shkencore”, organizuar nga Prezenca e OSBE në Tiranë, ditën e Martë, dt. 03.02.2015.

Prokuroria Shqiptare, në fakt, vlerëson angazhimin e stafit aktual të Policisë Shkencore, por konstaton se është shumë e nevojshme rritja e numrit të punonjësve të kësaj strukture, si edhe përmirësimi i pajisjeve teknologjike, për të rritur performancën e saj dhe, mbi të gjithë, për t’i shërbyer më së miri hetimit penal në Shqipëri.


Më poshtë është fjala e plotë e përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme në këtë aktivitet:

Ju falenderoj për ftesën dhe për mundësinë për të diskutuar mbi forcimin e kapaciteteve të Policisë Shkencore.
Kjo strukturë ka një rëndësi themelore në aktivitetin e përditshëm të organit të Prokurorisë dhe është një ndihmesë e rëndësishme për suksesin e hetimit, po të kemi parasysh  dhe vlerën e provës që ka një akt – ekspertimi cilësor.

Prokuroria Shqiptare ka rritur ndjeshëm aktivitetin hetimor, i cili kërkon domosdoshmërisht kryerjen e ekspertimeve të ndryshme, në një kohë sa më të shpejtë.
Ne kemi një komunikim intensiv me Policinë Shkencore për kryerjen e një numri të lartë ekspertimesh dhe kemi arritur të kuptojmë se kjo strukturë ka nevoja emergjente në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe në aspektin teknik dhe teknologjik. Për shkak të kapaciteteve jo të plota njerëzore dhe teknologjike që ka aktualisht Policia Shkencore, një numër i lartë hetimesh zgjasin në kohë dhe,  në disa raste, janë tejkaluar afatet proceduriale, gjë e cila passjell edhe pushimin e procedimeve penale.

Po ashtu, duke u nisur nga qëllimi i këtij takimi, ku ndër të tjera diskutohet edhe për mundësinë e krijimit të donacioneve për këtë strukturë, vlerësojmë se është shumë e nevojshme që të krijohen hapësirat për trajnimin mbi ekspertizat lidhur me krimet kompjuterike dhe pajisjen me infrastrukturën përkatëse në këtë fushë. Gjithashtu domosdoshmeri konsiderojme edhe përditesimin e pajisjeve teknike për lloje  të ndryshme ekspertimesh si ai kimik, daktiloskopik, grafik etj, për të  cilat  shfrytëzohet aktualisht një sistem i vënë në punë 15 vite më parë.

Shqipëria tashmë është një shoqëri teknologjike dhe rrjetet informatike janë bërë më të ndjeshme ndaj kriminalitetit.
Për të konkretizuar rëndësinë e ekspertizave në këtë fushë, mund t’ju prezantojmë shkurtimisht disa raste hetimore, me efekt në publik, të cilat janë bllokuar për shkak të mungesës së teknologjisë për kryerjen e ekzaminimeve të posaçme.

Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet “serveri i Tatimeve”, ku ka dyshime se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në të dhënat tatimore. Hetimi për këtë rast është bllokuar, për faktin se, për shkak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve, Policia Shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin nëse ka pasur ose jo ndërhyrje. Në vijim, prokuroria është në pritje të disa përgjigjeve të tjera për rastin, të cilat prej disa muajsh nuk kanë mbërritur.

Po ashtu, një tjetër rast me specifikë të ngjashme, është hetimi mbi atë që konsiderohet pajisja e përgjimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe në këtë rast, nga ana e Policisë Shkencore nuk është arritur të konkludohet nëse ka pasur ose jo përgjime të paligjshme nga strukturat e kësaj ministrie. Sërish, argumenti ka qenë i njëjtë; mungesa e pajisjeve teknologjike për të përpunuar informacionin e vlefshëm për hetimin.

I përmendëm këto raste për të kuptuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve të Policisë Shkencore në Shqipëri. Në fakt, duhet pranuar se angazhimi i stafit aktual të kësaj strukture është maksimal. Por, është shumë e nevojshme që t’u vihet në ndihmë këtij grupi ekspertësh, që më pas ata të jenë akoma më të vlefshëm për hetimin penal në Shqipëri. 

Data 03.02.2015