Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare: Bashkëpunimi me KLSH po njeh rritje

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në Analizën vjetore për vitin 2013 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilën ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, deputetë dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë

I nderuar Shkëlqesia Juaj, z. President i Republikës,
I nderuar z. Leskaj,
Të nderuar të pranishëm

E prita me kënaqësi ftesën për të folur para Jush. Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2013 ka qenë ndër nivelet më të larta. Për këtë arsye, ju falenderoj të gjithëve për rezultatet e punës Suaj.

Nga materialet që ka përcjellë Kontrolli i Lartë i Shtetit në Prokurori vërehet një rritje sasiore dhe cilësore e kallëzimeve penale. Po ashtu, është për t’u vlerësuar fakti që në kallëzime përfshihen edhe zyrtarë të niveleve të larta.
Angazhimi Juaj, në përgjithësi ka qenë serioz. Kjo dallohet nga analiza e plotë që i keni bërë materialeve kallëzuese dhe e ka ndihmuar prokurorinë në punën e saj.

Raste të shumta që janë dorëzuar në prokurori nga ana juaj gjatë vitit të kaluar, tashmë kanë shkuar në gjykatë ose janë në përfundim të hetimeve. Po ashtu, në të gjitha rastet, Prokuroria ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra për zyrtarët ndaj të cilëve është regjistruar procedimi penal.
Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme ka qenë e ndejshme ndaj rasteve të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një numër i madh çështjesh, të pushuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore para vitit 2013, janë shfuqizuar dhe është kërkuar rihetimi i tyre. Për disa prej tyre, gjykata ka shpallur dënimet.

Diçka e tillë dëshmon e vërteton faktin se impenjimi i stafit të KLSH-së ka qenë dhe vijon të jetë në nivele të pranueshme. Gjithësesi, jemi të bindur se kemi shumë për të bërë. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se abuzimet me funksionin publik janë shtrirë në thuajse të gjithë nivelet e administratës publike.

Për këtë kërkohet më shumë bashkëpunim dhe seriozitet në punën tonë. Këtu nuk i referohem vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rol primar në luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës kanë të gjithë institucionet publike. Në veçanti, ato institucione që janë pjesë e Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force.

Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të konsiderohet si garë mes institucioneve apo si kalim i përgjegjësisë tek njëri-tjetri. Natyrisht, organi i prokurorisë ka rolin e tij kryesor në ngritjen e akuzës. Por edhe institucionet publike që referojnë raste në prokurori, nuk duhet ta konsiderojnë rolin e tyre të përfunduar në momentin e dorëzimit të kallëzimit. Institucionet duhet të jenë solidarë deri në dhënien e dënimit nga gjykata. Kjo është fryma e Njësive të Përbashkëta Hetimore.

Duhet të theksoj se kjo frymë po forcohet gjithnjë e më shumë. Kontrolli i Lartë i Shtetit po dëshmon se kjo frymë duhet mbajtur lart. Po ashtu, edhe institucione të tjera po angazhohen gjithnjë e më shumë për referime në organin e prokurorisë. Besoj se ky është drejtimi i duhur. Pikërisht,.ai që kërkon edhe opinioni publik nga institucionet shqiptare.
Zoti Leskaj, ju falenderoj sërish për ftesën dhe ju nxis që të vijojmë me ritme akoma më të larta bashkëpunimin institucional.

Ju faleminderit për vëmendjen

 

Data 28.01.2014