Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare: Shtimi i numrit të prokurorëve do të rrisë efektivitetin e ndjekjes penale

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton angazhimin e institucionit në përmbushjen e rekomandimeve të Progres-Raportit të Komisionit Europian. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi përbëjnë elementët bazë të aktivitetit të prokurorisë


Prokuroria Shqiptare, gjatë aktivitetit të saj, i kushton një rëndësi të veçantë rekomandimeve të Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit; luftën kundër krimit të organizuar, si edhe angazhimit për Reformën në Drejtësi.
Në këto tre çështje u fokusua Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në raportin e paraqitur në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, për Administratën Publike dhe të të Drejtave të Njeriut,  të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 12.11.2014).

Prokurori i Përgjithshëm vuri theksin se institucioni është angazhuar në përmbushjen e këtyre prioriteteve, duke kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë mbështetjen me burime njerëzore, sidomos për prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, për të rritur efektivitetin në ndjekjen penale.

ME POSHTE ESHTE RAPORTIMI I PROKURORIT TE PERGJITHSHEM  PER PROGRES RAPORTIN E KOMISIONIT EVROPIAN- TETOR 2014

I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,

“Prokuroria Shqiptare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian. Fokusi ynë është përqëndruar në tre momente kryesore: Reforma në drejtësi, Lufta kundër Korrupsionit dhe Lufta kundër krimit të organizuar.
Prokuroria Shqiptare është pjesë e aktive e Reformës në Drejtësi. Në vlerësimin e institucionit, kjo reformë duhet nisur fillimisht nga evidentimi i problemeve. Në bazë të tyre, të ndërtohet një strukturë solide që do t’i shërbejë forcimit të pavarësisë, llogaridhënies, si edhe profesionalizimit në sistemin e drejtësisë.
Nga ana e saj, brenda hapësirës aktuale ligjore, prokuroria ka ndërmarrë masa konkrete në tre drejtimet e sipërcituara.

Në përmbushje të Prioritetit Nr.2 të Udhërrëfyesit të Komisionit Europian, Prokuroria ka miratuar disa masa për forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë.  Janë bërë disa ndryshime në Rregullore për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Prokurorisë”, të cilat konsistojnë në, zhvillimin e seancave dëgjimore nga Këshilli i Prokurorisë për rastet e konkurrimit për ngritje në detyrë apo për drejtues prokurorie krahas konkurrimit me dosje, ngritjen e Komisionit të Verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore të kandidatëve, me pjesëmarrjen e dy anëtarëve të Këshillit dhe një punonjësi të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore,  dhe ndryshime të tjera që synojnë t’i japin Këshillit një rol më aktiv në administrimin e prokurorisë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e sheh me interes forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë duke reflektuar ndryshimet e nevojshme ligjore. Ky organizëm duhet të ketë në vijim një rol më të rëndësishëm në promovimin e vlerave institucionale.

Gjithashtu, Prokuroria është fokusuar në rritjen e profesionalizimit të punonjësve. Veçojmë Projektin Rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”. Në kuadër të këtij Instrumenti të Bashkimit Europian janë zhvilluar një sërë kursesh trajnimi për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Mbështetje të konsiderueshme në forcimin e kapaciteteve për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar kanë dhënë dhe vijojnë të japin projekti OPDAT dhe PAMECA.

Ndërkohë, është për t’u vlerësuar që misioni EURALIUS ka të përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme në listën e institucioneve përfituese sa i përket asistencës për reformën në drejtësi.
Sa i përket kontrollit të brendshëm, krahas inspektimeve periodike që zhvillohen në prokurori të ndryshme, gjatë vitit 2014, është miratuar akti normativ “Rregulla mbi etikën dhe sjelljen e prokurorëve”. Ky akt, i cili vjen në përmbushje edhe të rekomandimeve të GREKO-s, shërben për vlerësimin profesional dhe moral të prokurorëve. Gjithashtu,  shërben edhe për promovimin e vlerave dhe rritjen e përgjegjshmërisë në strukturën e Prokurorisë Shqiptare.

Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme ka pasur aktivitet të shtuar për rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale. Në këtë kuadër, gjatë kësaj periudhe janë nxjerrë qarkore të posaçme lidhur me zbatimin e unifikuar të ligjit për amnistinë; për unifikimin dhe ushtrimin me efiçencë të të drejtës së ankimit; si edhe për zbatimin e unifikuar të nenit 199/a të Kodit Penal për ndërtimet e paligjshme.


Lufta kundër korrupsionit vijon të jetë prioriteti madhor i prokurorisë shqiptare.

Ka pasur një aktivitet të ngjeshur në këtë drejtim, sidomos sa u përket hetimeve për shpërdorimin e detyrës, që përbën numrin më të madh të procedimeve të regjistruara në këtë fushë. Prokuroria ka forcuar dhe konsoliduar aktivitetin e Njësive të Përbashkëta Hetimore, të cilat janë struktura të specializuara për hetimet në fushën e korrupsionit, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. Si masa të rëndësishme përmendet ngritja e një njësie të tillë në prokurorinë e Elbasanit. Po ashtu, edhe njësitë e tjera janë mbështetur me rritje të numrit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Me ndryshimet e fundit ligjore sa i përket korrupsionit në nivele të larta, është krijuar një Njësi e specializuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Të gjitha këto njësi koordinohen nga Drejtoria për Hetimin kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë, e cila është krijuar në maj 2014 pranë Prokurorisë së Përgjithshme, po shërben për koordinimin dhe standartizimin e proceseve hetimore kundër korrupsionit. 

Po ashtu, në drejtim të forcimit të kapaciteteve të këtyre njësive, janë kryer trajnime të shumta të prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore me Shkollën e Magjistraturës, si dhe me projekte të financuar nga donatorë të huaj.

Lufta kundër korrupsionit në përgjithësi dhe ai në sektorin publik në veçanti është forcuar gjatë vitit 2014. Treguesit statistikorë shprehin rritje me 46 % të numrit të procedimeve të regjistruara për grupveprat penale të korrupsionit në sektorin publik dhe rritje me 49 % të numrit të të pandehurve të regjistruar. Gjithashtu rritje kanë pësuar edhe numri i procedimeve dërguar gjyqit me 47 % dhe numri i të pandehurve dërguar gjyqit me 39 %.

Peshën më të madhe në këtë grup e ka vepra penale e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i personave me funksione publike”. Duke krahasuar të dhënat ndërmjet 9-mujorit 2013 dhe 9-mujorit 2014, konstatohen rritje e ndjeshme e aktivitetit për këto grup-veprash. Kështu, ka rritje me 35 përqind të procedimeve të regjistruara, si edhe rritje prej 29 përqind sa u përket personave të dërguar për gjykim.

Gjatë 9 mujorit 2014 procedimet penale për shpërdorimin e detyrës janë rritur me 85 përqind krahasuar me ato të 9 mujorit 2013. Procedimet e dërguara për gjykim janë rritur me 33 përqind,  krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lidhur me veprat penale të korrupsionit në sistemin gjyqësor, gjatë 9 mujorit 2014 janë dërguar për gjykim disa punonjës të sistemit të drejtësisë, përfshirë një gjyqtar në Pogradec, një gjyqtar, një prokuror, një kancelare dhe disa të tjerë në në Pukë. Po ashtu, për veprën penale të fshehjes së pasurisë është regjistruar procedimi penal dhe po zhvillohen hetime për 3 gjyqtarë të tjerë. Për këta tre gjyqtarë, prokuroria ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra. Gjykata e shkallës së parë mbështeti kërkesën vetëm për njërin prej tyre, duke e pezulluar 3 muaj nga detyra. Por, edhe kjo masë u rrëzua nga gjykata e Apelit.

Në grupin e veprave të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe krijimit të skemave mashtruese, Prokuroria ka pasur angazhim të veçantë gjatë vitit 2014. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve janë hetuar dhe janë dërguar për gjykim kërkesat për rreth 90 shtetas dhe persona juridikë, të cilët i kanë shkaktuar shtetit dëm ekonomik që llogaritet në disa dhjetra milionë euro. 

Për të krijuar një historik solid rezultatesh, Prokuroria në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme ka mbajtur, koordinuar dhe raportuar të dhëna të hollësishme me bazë 3-mujore mbi hetime të kësaj natyre.
Po ashtu, janë shtuar ndjeshëm kontaktet me përfaqësues të institucioneve  të përfshira në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si me policinë e shtetit, dogana, tatime, shërbimet inteligjente, etj.

Pas një takimi të zhvilluar në Maj 2014 ndërmjet drejtuesve të Prokurorisë dhe drejtuesve të Policisë, tashmë është krijuar një praktikës standarte për analizimin periodik për analizimin e rasteve konkrete. Në nivel qëndror dhe në nivel lokal, çdo muaj zhvillohen diskutime mbi raste konkrete. Këto analiza periodike kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e forcës goditëse  kundër korrupsionit dhe krimit në përgjithësi.

Forcimi i bashkëpunimit institucional ka dhënë rezultate konkrete edhe në rritjen e numrit të hetimeve proaktive.
Duhet të ndalemi veçanërisht në hetimin për pastrimin e produkteve të veprave penale. Konstatohet se ka pasur rritje në sekuestrim dhe konfiskim të pasurive të rrjedhura nga veprimtaritë kriminale. Gjithësesi, nisur nga të dhënat, rezulton se numri i procedimeve të regjistruara ka pasur rritje, ndërsa numri i rasteve të dërguara për gjykim ka pasur ulje, krahasuar me një vit më parë.
Këto të dhëna kanë qenë objekt i analizës së Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit. Është konstatuar se problematika nis që në momentin e referimit të këtyre rasteve, në verifikimet paraprake dhe më pas në nevojën për veprime në një kohë relativisht të gjatë.

Për të rritur efektivitetin në këtë drejtim, Prokuroria është angazhuar në kontakte të vazhdueshme me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe me Policinë e Shtetit për të trajtuar sipas parashikimeve ligjore çdo informacion të kësaj natyre. . Nga ana tjetër, po në këtë drejtim, prokuroria po punon me të gjithë agjencitë e tjera që administrojnë regjistra publikë për të përftuar në kohë reale të dhënat që përpunohen prej tyre. Është fakt se është gjetur mbështetja dhe impenjimi i të gjithë këtyre strukturave për të krijuar aksesin e prokurorisë në bazat e tyre të të dhënave.

Lufta kundër krimit të organizuar
Prokuroria ka vijuar të jetë e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar. Referuar treguesve statistikor, për vepra penale të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në 9 mujorin 2014 evidentohet rritje prej 31 % e procedimeve penale të regjistruara, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.
Në fokus të veçantë ka qenë lufta kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Rritja e ndjeshme e shifrave është rrjedhojë e operacioneve në Lazarat të Gjirokastrës,  të shtrirë më pas në Dukagjin, Shkodër. 

Në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese shqiptare, si edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, u dha një kontribut i veçantë në luftën kundër personave që merren me rekrutimin dhe financimin e shtetasve për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë Europës. Në mars 2014 u zbuluan një grup personash që ishin të përfshirë në këtë vepër penale. Prej atij momenti, konstatohet se ka një stepje të këtij aktiviteti në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky angazhim i institucioneve shqiptare është vlerësuar pozitivisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, gjatë periudhës Janar – Tetor 2014 janë realizuar veprime për ekzekutimin e disa komisioneve rogatore të kërkuara nga autoritetet e Belgjikës, Francës, Norvegjisë etj, si kontrolle banesash, verifikim pasurie, sekustrime të llogarive bankare etj. Theksojmë se, këto veprime proceduriale janë kryer nga Prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë në praninë e përfaqësuesve të autoriteteve të huaja.

Po ashtu, një zhvillim shumë të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, veçojmë Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar pak ditë më parë ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe Drejtorisë së Antimafias së Italisë. Kjo marrëveshje zëvendëson një dokument të nënshkruar në vitin 1997 dhe parashikon mekanizma të rinj për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar.

Ndërkohë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Prokurori i Përgjithshëm zhvilloi takime dhe bisedime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera në Uashington, krahas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ditën e sotme, prokuroria shqiptare do të presë edhe Prokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut ka vijuar të jetë një ndër prioritetet e organit të prokurorisë gjatë vitit 2014. Në këtë drejtim janë marrë disa masa dhe janë realizuar nisma konkrete. Është treguar një vëmendje e veçantë për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të miturve të përfshirë në procedime penale qoftë si të pandehur, persona nën hetim, të dëmtuar ose dëshmitarë.
Për sa i përket të drejtës për të jetuar, lidhur me fenomenin e gjakmarrjes të përmendur dhe në Progres Raport, Prokuroria ka zhvilluar aktivitet specifik në drejtim të evidentimit dhe zbulimit të rasteve të gjakmarrjes.

Ka pasur një iniciativë konkrete nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Për një periudhë 5-mujore, kjo prokuri ka regjistruar familjet që janë në gjakmarrje, si edhe ka marrë deklarimet e personave të ngujuar për shkak të këtij ligji të pashkruar. Nga të dhënat, rezulton se shifra e personave dhe e familjeve të ngujuara është shumë herë më e vogël se sa ajo që raportohet nga shoqata të ndryshme. Kështu, janë kontaktuar 200 familje, të cilat kanë qenë të përfshira në konflikt. Prej tyre, janë konstatuar në ngujim 25 familje me 30 persona gjithsej. Sipas kontakteve të drejtëpërdrejta me personat e ngujuar, rezulton se ata nuk janë të kanosur drejtëpërdrejtë, por qëndrojnë të izoluar për shkak të frikës.

Këto të dhëna e kanë ndihmuar prokurorinë shqiptare të krijojë një panoramë të qartë mbi përhapjen e fenomenit dhe sidomos për të bashkëpunuar me autoritetet e huaja lidhur me kërkesat për azil. Autoritetet shqiptare janë përballur me shqetësimin e homologëve europianë lidhur me numrin në rritje të azilkërkuesve, të cilët paraqesin si shkak gjakmarrjen. Iniciativa e prokurorisë, e cila nisi nga Shkodra, është në vijim të bashkëpunimit me autoritetet e huaja për të evidentuar personat që abuzojnë me lirinë e lëvizjes, duke kërkuar azil me dokumenta të fallsifikuara si të përfshirë në gjakmarrje.

Krahas aktivitetit konkret, ju bëjmë prezent edhe ecurinë e Sistemit të Menaxhimit të Rasteve, një projekt i financuar nga delegacioni i Bashkimit Europian dhe që ka për qëllim dixhitalizimin e të dhënave në prokurori.

Ky projekt ka kaluar tashmë fazën pilot dhe pritet të implementohet në fillim të vitit 2015.  Sistemi, do të mundësojë gjenerimin në kohë reale punën dhe statistikave të prokurorisë.
Nëpërmjet tij, do të jenë mundësitë që të përftohen të dhëna për procedimeve penale në çdo fazë të hetimi, çka përbën arritje të rëndësishme në punën e institucionit të prokurorisë, në përmbushje të Rekomandimeve të Komisionit Europian për krijimin e bazës së të dhënave.

Të nderuar deputetë,
Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e deritanishme, prokuroria ju prezanton edhe nevojat e saj lidhur me përmbushjen sa më të plotë të rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Gjatë vitit 2014 dhe 2013 ka patur një volum të madh pune, krahasuar me vitet e tjera, i cili është përballuar nga e njëjta trupë prokurorësh. Krahasuar me 9 mujorin e vitit 2013, gjatë këtij viti kemi rritje prej 36 % të procedimeve të regjistruara dhe 50 % të numrit të të pandehurve të regjistruar. 

Ngarkesa dhe dinamika e punës së prokurorisë është rritur shumë nga viti në vit, po ashtu edhe kërkesat dhe pritshmëritë mbi rezultatet e hetimeve.

Progres Raporti 2014 lidhur me efiçencën e sistemit të drejtësisë nënvizon se: “Burimet në dispozicion duhet të rishikohen dhe të shtohen, që të përballohet rritja e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata”.

Rritja e shpejtësisë dhe eficencës së ndjekjes penale, krahas masave të tjera, duhet të shoqërohet edhe me shtimin e numrit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Kërkesë të cilën Prokuroria e ka paraqitur para Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit.
Nga ana tjetër, Sistemi i Menaxhimit të Rasteve, zbatimi i së cilës është përfshirë në një ndër pikat dhe rekomandimet kryesore të 5 prioriteteve të Komisionit Evropian, rrezikon implementimin e tij për shkak të mosmiratimit të shtimit të numrit prej 20 punojësisht të IT. Aktualisht, në organikën e Prokurorisë së Përgjithshme janë vetëm 6 specialistë, të cilët e kanë të pamundur të mbulojnë dhe përballojnë ngarkesën e punës që do të sjellë implementimi i sistemit të “Menaxhimit të Rasteve”.

Prokuroria Shqiptare e rithekson para këtij Komisioni nevojën për mbështetje në shtimin e burimeve njerëzore. Kjo, nisur edhe nga fakti se tashmë është dorëzuar në Kuvend Projekt-Buxheti për vitin 2015 dhe kërkesat e prokurorisë në këtë drejtim nuk janë reflektuar.

Duke shpresuar në mbështetjen e këtij Komisioni, e vlerësojmë shumë të nevojshme rritjen e numrit të prokurorëve e të oficerëve të policisë gjyqësore, si edhe të stafit që do të menaxhojë Sistemin dixhital, pasi në këtë mënyrë do të rritet më tej efektiviteti i prokurorisë shqiptare.  

Të nderuar deputetë,
Në mënyrë të përmbledhur ju paraqitëm aktivitetin e prokurorisë në përmbushje të prioriteteve të Bashkimit Europian, si edhe nevojat konkrete të institucionit për rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale.


Ju faleminderit për vëmendjen!”

Data 12.11.2014