Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare: Tre shtyllat e reformës në drejtësi

Prokuroria e Përgjithshme paraqet opsionet e saj për forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit në konferencën “Reforma në Sistemin e Drejtësisë”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë


Prokuroria Shqiptare ka ritheksuar qëndrimin e saj lidhur me forcimin e pavarësisë së institucioneve në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë.
Në takimin e zhvilluar për këtë temë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, ditën e Premte, dt. 31.10.2014, Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, është shprehur se është parimisht dakord për ndryshime që forcojnë kuadrin ligjor për institucionet e drejtësisë në përgjithësi, dhe në veçanti për prokurorinë.

Prokuroria Shqiptare vlerëson se Reforma në Drejtësi duhet të orientohet në evidentimin qartë dhe saktë të problemeve aktuale, si ato që prekin çdo ditë veprimtarinë e institucioneve dhe aktorëve të këtij sistemi, ashtu edhe shqetësimet e perceptuara nga publiku.
Institucioni i Prokurorisë, brenda kuadrit aktual ligjor, ka ndërmarrë nisma konkrete për forcimin e rolit të saj, në drejtim të; forcimit të pavarësisë; llogaridhënies; dhe rritjes së profesionalizmit.

I. Forcimi i pavarësisë;
Në përmbushje të Prioritetit Nr.2 të Udhërrëfyesit dhe të Rekomandimeve të Progres Raportit 2014, për forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë dhe rritjen e transparences në procedurat për emërimin dhe ngritjen në detyre  të prokurorve, Prokuroria e Përgjithshme:
- Ka hartuar projekt-rregulloren për ndryshimin e Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Prokurorisë”, që konsistojnë:
- në ngritjen e Komisionit të Verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore të kandidatëve, me pjesëmarrjen e dy anëtarëve të Këshillit dhe një punonjësi të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore;
- për rastet e konkurrimit për ngritje në detyrë apo për caktimin e drejtuesve të prokurorisë, krahas konkurrimit me dosje, do të zhvillohen seanca dëgjimore nga Këshilli i Prokurorisë, si dhe;
- ndryshime të tjera që synojne t’i japin Këshillit një rol më aktiv në administrimin e prokurorisë.
Për këto ndryshime është marrë mendimi i Këshillit të Prokurorisë dhe Rregullorja është miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Gjithashtu, është hartuar edhe një draft udhëzim për procedurën e konkurimit me shkrim të kandidateve për prokuror, që kanë punuar gjyqtar, prokuror ose oficer të Policisë Gjyqësore, të cili kandidojnë për prokuror në Këshillin e Prokurorisë.
Ndërkohë, në kuadrin e forcimit të pavarësisë në prokurori, janë formuluar propozime për ndryshime në ligj, si më poshtë:
-Ndryshimin e nenit 56  të ligjit për prokurorinë, për të reduktuar objektin e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në prokurori, në ato aspekte që cënojnë pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve Kushtetuese e ligjore. Ky ndryshim ligjor do të shmangë dhe paralelizimin e kontrollit të Inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme me atë të Ministrisë së Drejtësisë.
- Ndryshimin e nenit 57/1 të ligjit për prokurorinë, për të garantuar pavarësinë e buxhet, si element i rëndësishëm i pavarësisë së prokurorisë në ushtrimin e funksioneve Kushtetuese e ligjore.

II. Llogaridhënia
Llogaridhënia e prokurorisë dhe mënyra e realizimit të saj është e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, si dhe në aktet normative të Prokurorit të Përgjithshëm.
Në zbatim të nenit 6 të ligjit për prokurorinë dhe akteve normative të Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit e prokurorive në të gjitha nivelet, drejtpërdrejtë ose nëpërmjet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për marrëdhëniet me publikun, komunikojnë me opinionin publik dhe/ose organet e medias, për veprimtarinë e prokurorisë (treguesit e ndjekjes penale, ngritjes se akuzës në gjykatë dhe të ekzekutimit të vendimeve penale), për probleme të përgjithshme dhe të veçanta të kriminalitetit në juridiksionin e tyre, duke shmangur publikimin e çdo të dhëne që dëmton procesin e hetimeve, që cënon dinjitetin dhe jetën private të personave apo që cënon të drejtat e të miturve dhe moralin publik.
Po ashtu, referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, kontrolli i prokurorit në ushtrimin e funksioneve të tij realizohet nga:
prokurori më i lartë, i cili mbi ankim dhe/ose kryesisht shfuqizon aktet e hetimeve paraprake të prokurorit më të ulët, dhe;
gjykata, e cila realizon kontrolli gjyqësor të veprimtarisë së prokurorit në fazën e hetimeve, në fazën e gjykimit të themelit dhe në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale të formës së prerë.
Ndërkohë, Inspektimi periodik nga Drejtoria e Inspektimit në PP dhe vlerësimi i punës së prokurorit të paktën çdo tre vjet është një mënyrë tjetër kontrolli dhe llogaridhënie e prokurorit në ushtrimin e funksioneve të tij, i cili paralelizohet edhe nga kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë, për rastet e parashikuara në nenin 56 të ligjit për prokurorinë.
Në kuadrin e llogaridhënies dhe transparencas me publikun, nëpërmjet Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun të Prokurorisë së Përgjithshme dhe rubrikës ”Denoncime Online” evidentohen shqetësimet e shtetasve të paraqitura me anë të letrave, kallëzimeve penale, informacioneve, kërkesave apo ankimeve. Pas verifikimit e vlerësimit të shqetësimeve të ngritura në komunikimin me ta i kthehet përgjigje për zgjidhjet ligjore, sipas rastit, si nga drejtoritë dhe sektorët e Prokurorisë së Përgjithshme, ashtu dhe nga Prokuroritë e shkallës së parë ose Prokuroritë e Apeleve.
Në faqen zyrtare të Prokurorisë, gjithashtu, do të zënë një vend të veçantë informacionet e vazhdueshme mbi Këshillin e Prokurorisë dhe aktivitetin apo vendimmarrjet e këtij organi.
 
III. Profesionalizmi
Në zbartim të Rekomandimeve të GRECO-s dhe misionit OPDAT, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, në qeroshr 2014 u miratuar akti normativ “Rregulla mbi etiken dhe sjelljen e prokuroreve”, i cili do t’i shërbej dhe sistemit të vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve, për të përmirësuar treguesit e tij, me synim që ky sistem të promovoj prokurorë profesioniste dhe me integritet.
Nisur nga fakti se si shkeljet disiplinore, ashtu dhe procesi dhe masa disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokurorët ka patur problem dhe pothuajse nuk ka funksionuar, çmojmë se mund të rishikohen:
- Nenet 32 e 33 të ligjit për prokurorinë, për të rivlersuar shkeljet disiplinore dhe masat disiplinore, veçanërishtë ato që përbëjnë shkak për shkarkim nga detyra dhe ndryshuar/riformuluar në përqasje me standartin e GJEDNJ dhe legjislacionin e vendeve të BE, me synim për t’i bërë të qarta dhe të zbatueshme.
Krahas forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit, Prokuroria çmon se është shumë e rëndësishme të vijoj reforma dhe në Kodin e Procedures Penale, Kodin Penal, e ligje të tjera në fushën penale, për të ndryshuar dhe shtuar institute e dispozita që ndikojnë si në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe profesionalizmit, ashtu dhe në rritjen e eficencës të sistemit të Drejtësisë Penale.