Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare dhe Antimafia Italiane nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, pret Prokurorin Kombëtar të Antimafias së Italisë, z. Franco Roberti. Në qendër të diskutimeve, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit të organizuar, me fokus konfiskimin e aseteve kriminale


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, dhe Prokurori Kombëtar i Antimafias së Italisë, z. Franco Roberti, diskutuan në Tiranë mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Z. Roberti, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, z. Francesko Mandoi dhe z. Filipo Spezia, Magjistrat pranë Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, si edhe në praninë e Ambasadorit të Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Masimo Gaiani, u njoh nga afër me rezultatet deritanishme të Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar.

Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar është formalizuar me një Memorandum Bashkëpunimi të vitit 1997 ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë dhe Drejtorisë Kombëtare të Antimafias së Italisë. Prej asaj kohe, ndërmjet dy strukturave hetimore ka pasur bashkëpunim të ngushtë, i konsoliduar vit pas vit dhe me rezultate konkrete.
Nisur nga fakti se krimi i organizuar përmirëson mjetet dhe metodat për të arritur qëllimet e tij kriminale, strukturat hetimore nga ana e tyre duhet t’u përgjigjen në koherencë.

Për këtë arsye, një ndër qëllimet e vizitës së z. Roberti dhe kolegëve të tij në Shqipëri është nënshkrimi i Memorandumit Dypalësh të Bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve penale që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare me homologët italiane, sidomos sa i përket luftës kundër krimit të organizuar.

Po ashtu, edhe z. Roberti theksoi rëndësinë që ka forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu, Prokurori Kombëtar i Antimafias vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe italiane, si edhe theksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit të mëtejshëm.
Në një deklaratë publike, prezantuar pas takimit me zyrtarët e lartë italianë të hetimit, z. Llalla, u shpreh:
“Prokuroria shqiptare ka nderin të ketë të ftuar sot Prokurorin Kombëtar të Antimafias së Italisë, z. Franko Roberti, i cili është i shoqëruar nga zëvendësprokurori, z. Françesko Mandoi dhe z. Filipo Spezia, Magjistrat pranë Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Po ashtu, falenderojmë për praninë e tij edhe ambasadorin e Republikës së Italisë në Shqipërisë, z. Masimo Gaiani. Z. Roberto ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej Korrikut 2013 është në pozicionin më të lartë të luftës kundër mafias në Itali.
Prokurori Kombëtar i Antimafias viziton Shqipërinë për të vijuar më tej me konsolidimin e raporteve me autoritetet shqiptare. Shqipëria dhe Italia kanë një histori të përbashkët sfidash dhe arritjesh kundër grupeve kriminale gjatë viteve të fundit.
Bashkëpunimi italo-shqiptar kundër krimit të organizuar ka filluar që në vitin 1997, kur është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë dhe Drejtorisë Kombëtare të Antimafias Italiane.

Prej asaj kohe, Shqipëria dhe Italia kanë krijuar një traditë të konsoliduar bashkëpunimi, e cila po vijon të forcohet.
Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo rrugë kërkon vendosmëri përballë krimit të organizuar. Është një sfidë që po punojnë çdo ditë për ta përballuar me sukses. Natyrisht, bashkëpunimi dhe ndihma e autoriteteve italiane është një ndihmesë të madhe në përballimin e kësaj sfide për Shqipërinë.
Aktualisht, prokuroria është e fokusuar në hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtarinë kriminale. Është rritur së tepërmi nga viti në vit numri i konfiskimeve të pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare të personave dhe grupeve të përfshirë në krimin e organizuar.

Nga ana tjetër, autoritetet hetimore e kanë të qartë se për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, ai duhet goditur në burimin financiar. Italia ka një përvojë shumë të rëndësishme në këtë drejtim dhe ka shërbyer edhe si orientim për institucionet shqiptare.
Një ndër qëllimet e vizitës së z. Roberti dhe kolegëve të tij në Shqipëri është nënshkrimini i Memorandumit Dypalësh të Bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve penale që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.

Krimi i organizuar është zhvilluar në kohë, si në formë ashtu edhe në mënyrën e veprimit. Për këtë arsye, është e domosdoshme përmirësimi i metodave të punës së Prokurorisë, për të qenë koherent në luftë kundër këtij krimi. Për këtë arsye, dy strukturat tonë e konsiderojnë shumë të rëndësishme vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet prokurorëve, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe dhënien e ndihmës juridike në kohë reale.

Ky dokument do të shënojë një fazë të re për veprime konkrete të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe që besojmë se do të kenë rezultate konkrete”.

Data 05.11.2014