Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare, fushatë antikorrupsion në shkollat e mesme


Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (9 Dhjetor), Prokuroria Shqiptare nis fushatën sensibilizuese kundër abuzimit me pushtetin publik.
 
Prokurorë të Njësive të Përbashkëta Hetimore do të bëjnë prezantime të titulluara “Korrupsioni na dëmton të gjithëve” në shkollat e mesme të disa qyteteve mbi pasojat e dëmshme të korrupsionit dhe se si, qytetarët, përfshirë nxënësit dhe studentët duhet t’i rezistojnë dhe të denoncojnë korrupsionin.
 
Gjatë ditës së Hënë (09.12.2013) do të bëhen prezantime në shkollat e mesme të qytetit të Durrësit dhe gjatë këtij muaji do të vijojnë në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Fier dhe Vlorë. Pas prezantimeve, prokurorët do të përfshijnë nxënësit në diskutime mbi efektet e korrupsionit në zyrat publike dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi.
 
Po ashtu, prokurorët do të inkurajojnë nxënësit të hartojnë postera anti-korrupsion. Të rinjtë do të ftohen që të paraqesin grafikisht perceptimin e tyre mbi korrupsionin dhe pasojat e tij. Është parashikuar gjithashtu që, paraqitja më e mirë grafike e krijuar prej nxënësve do të paraqitet në media dhe në tabelat publike në Tiranë.
 
Kjo nismë, e cila është përshëndetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, si OPDAT, etj, përballohet në tërësi nga Njësitë e Përbashkëta Hetimore të Prokurorisë, të cilat janë struktura të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Në këto njësi kombinohet përvoja e prokurorëve dhe punonjësve të agjencive të tjera ligjzbatuese, të cilët janë trajnuar për hetime anti-korrupsion.

Tiranë më, 09.12.2013