Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare nis trajnimet për forcimin e integritetit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton serinë e trajnimeve për Rregullat e Sjelljes dhe Etikës së prokurorëve. Dokumenti është hartuar me asistencën e misionit OPDAT dhe përmbledh normat e Bashkimit Europian


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, hapi serinë e trajnimeve për njohjen dhe zbatimin e Rregullave të Etikës, dokument i cili është miratuar në Qershor 2014 dhe që përmbledh parimet për forcimin e integritetit të prokurorëve shqiptarë.
Kodi i ri i Etikës, ndryshe nga ai që ekzistonte që prej vitit 2005, tashmë ka të parashikuar detyrimet për t’u zbatuar nga e gjithë trupa e prokurorëve,, shoqëruar me penalitetet disiplinore në rastet e shkeljeve të normave të tij.
Kodi i ri i Etikës është hartuar me asistencën e misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në të janë të materializuara kërkesat perëndimore për integritetin e prokurorëve shqiptarë.

Prokurori i Përgjithshëm, në fjalën e tij hapëse, u shpreh se “Në Kodin e Etikës përcaktohen parimet, normat dhe udhëzimet e etikës e të sjelljes së prokurorëve për të siguruar dhe garantuar profesionalizëm, pavarësi, paanshmëri, ndershmëri, integritet dhe korrektësi në ushtrimin e funksioneve të tyre”.

Në takimin e parë trajnues, ku ishin të ftuar z. David Griese, ekspert i misionit OPDAT dhe znj. Kitty Nooy, Drejtuese e Zyrës së Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Hollandë, prokurorët e prokurorive të Rrethit Gjyqësor Tiranë, të Apelit Tiranë, dhe të Prokurorisë për Krime të Rënda u njohën me parashikimet e reja të Kodit të Etikës. Këto trajnime do të vijojnë gjatë javëve në vijim me prokurorët e të gjithë vendit, sipas rajoneve që mbulojnë Prokuroritë e Apeleve në të gjithë Shqipërinë.
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, u shpreh në këtë takim të parë trajnues:

“Prokuroria Shqiptare tashmë ka një korpus rregullash mbi etikën, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe që synojnë të forcojnë integritetin e prokurorëve.
Hartimi i këtij kodi të ri u vlerësua i domosdoshëm, për faktin se një kod i mëparshëm, i miratuar në vitin 2005, nuk ishte funksional dhe nuk kishte norma detyruese.
Kodi i ri, synon të krijojë, ruajë e të forcojë rregullat e sjelljes, si edhe të rrisë efikasitetin në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë dokument përcaktohen parimet, normat dhe udhëzimet e etikës e të sjelljes së prokurorëve për të siguruar dhe garantuar profesionalizëm, pavarësi, paanshmëri, ndershmëri, integritet dhe korrektësi në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Gjithashtu, parashikohen rregullat për të forcuar marrëdhëniet institucionale dhe ndërinstitucionale me subjektet e tjerë të procedimit penal, me institucione dhe organizata kombëtare e ndërkombëtare, duke shmangur konfliktin e interesit dhe ruajtur sekretin profesional, në interes të drejtësisë penale dhe rritjes së besimit të publikut te organi i prokurorisë.

Krahas detyrimeve institucionale, kodi i ri i etikës vjen në përmbushje të rekomandimeve të GRECO-s, i cili i sugjeroi Prokurorisë Shqiptare hartimin e një dokumenti që përmbush standartet e Bashkimit Europian.
Raundi i katërt i vlerësimit të GRECO-s ka patur objekt,  parandalimin e korrupsionit për deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët. Etika dhe integriteti kanë qënë në fokus të monitorimit të GRECO-s, si një instrument i rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit.

Së shpejti, do të bëhen edhe disa ndryshime në formularin e vlerësimit të prokurorëve, ku do të parashikohet një seksion i veçantë për vlerësimin e cilësive etike të prokurorit, duke përcaktuar kritere objektive dhe transparente.
Në këtë kuadër, falë mbështetjes dhe asistencës së misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të zotit David Gris që është sot këtu, në qershor 2014, u miratua Kodi i Etikës, në të cilën janë të materializuara kërkesat perëndimore për integritetin e prokurorëve shqiptarë.

Ndërkohë, duke filluar nga sot, sërish nëpërmjet mbështetjes së OPDAT, po fillojmë takimet trajnuese, të cilat do të zhvillohen në vijim me të gjithë trupën e prokurorëve në Shqipëri.
Në këtë takim hapës, kemi nderin të jetë e pranishme edhe znj. Kiti Noi, Drejtuese e Zyrës së Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Hollandë.

Zyra e saj ka krijuar një reputacion shumë të mirë në selinë e Bashkimit Europian për forcimin e integritetit të prokurorëve.
Për këtë arsye, e vlerësojmë se prezantimi i saj në Tiranë do të jenë shumë interesant për të pranishmit. Ky është mendimi edhe i një grupi nga prokuroria shqiptare, të cilët pak muaj më parë janë mirëpritur dhe trajnuar nga zonja Noji dhe stafi i saj në Hagë.
Seria e trajnimeve për rregullat e etikës po fillon në një moment simbolik, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. 
Kodi i Etikës dhe sidomos zbatimi rigoroz i tij do të ndihmojë që simbolika e kësaj dite të jetë standart normal në aktivitetin e Prokurorisë Shqiptare.”

Data 09.12.2014