Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare, rritje e shpejtësisë së komunikimit me qytetarët

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton para stafit rezultatet e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe kërkon rritjen e shpejtësisë së komunikimit të të gjithë strukturës me qytetarët


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i cilësoi shumë të rëndësishme dhe frytdhënëse diskutimet që zhvilloi në datat 29-30 Shtator 2014 me Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Eric Holder, si edhe me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI).
Këto vlerësime, z. Llalla ia bëri prezent stafit të Prokurorisë së Përgjithshme, në një takim të zgjeruar të zhvilluar ditën e Hënë (03.11.2014).

Z. Llalla theksoi se mori garancinë nga zyrtarët e lartë amerikanë për vijimin e mbështetjes së fortë kundrejt prokurorisë shqiptare lidhur me rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit ndërkombëtar, terrorizmit dhe korrupsionit vendas.
Duke vijuar fjalën e tij në takimin me stafin, z. Llalla, në kuadër të transparencës dhe efektshmërisë së institucionit, kërkoi rritjen e shpejtësisë në përgatitjen e materialeve dhe kthimin e përgjigjeve për ankesat që mbërrijnë në Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me aktivitetin e prokurorëve në struktura të ndryshme lokale.

Duke vënë theksin te rritja e fuqisë goditëse të Prokurorisë Shqiptare gjatë kohëve të fundit, z. Llalla theksoi se “rritja e volumit të punës dhe rezultatet konkrete që janë shtuar ndjeshëm, janë shoqëruar me rritjen e pritshmërisë së opinionit publik ndaj prokurorisë. Për këtë arsye, kërkohet nga të gjithë, por sidomos nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, të jenë më aktiv në përgjigjet e kërkesave të qytetarëve të ndryshëm. Prokuroria Shqiptare duhet të vijojë të dëshmojë se është në krah të opinionit publik për luftën kundër korrupsionit dhe krimit në përgjithësi”.

Nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson shumë të rëndësishëm projektin IPA II, 2014-2020 për mbështetje financiare të institucioneve shqiptare nga ana e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, z. Llalla kërkoi, kryesisht nga drejtuesit në Prokurorinë e Përgjithshme të identifikojnë dhe të përgatisin projekte të plota lidhur me kërkesat për financim nga këto fonde. “Tashmë që Shqipëria ka marrë statusin e vendin kandidat për në Bashkimin Europian, vendi ynë ka mundësi të mëdha për të përfituar asistencë financiare dhe teknike nga fondet e Projektit IPA II. Për këtë arsye, duhet të angazhohemi të gjithë që të hartojmë plane konkrete për të arritur të tërheqin fonde për përmirësimin e infrastrukturës teknike dhe teknologjike, si edhe për forcimin e kapaciteteve në burime njerëzore dhe hetimore”, u shpreh z. Llalla.