Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare, shkëmbim hetimesh me Kosovën

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla diskuton me homologun kosovar, z. Ismet Kabashi, për forcimin e bashkëpunimit ndërinstucional


Prokuroria shqiptare dhe e Kosovës kanë rënë dakord për shkëmbimin e hetimeve lidhur me qytetarët shqiptarë që kryejnë vepra penale në territorin e Republikës së Kosovës, por që nuk sjellin pasoja për interesat e shtetit apo të qytetarëve kosovarë dhe anasjelltas.

Kjo çështje ishte në thelb të bisedimeve që u zhvilluan sot (01.10.2013) në Prishtinë ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe homologut të tij të Kosovës, z. Ismet Kabashi.

Dy drejtuesit shprehën qëndrimin e përbashkët për intensifikimin e raporteve ndërmjet strukturave hetimore për të luftuar më fort kriminalitetin në të dy anët e kufirit, sidomos për çështje të trafiqeve, veprave penale në sferën doganore dhe në krimin e organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, u shpreh gjatë bisedës se “lufta kundër kriminalitetit të organizuar dhe trafiqeve është një sfidë e përbashkët, e cila na dikton që të ndërmarrim hapa dypalëshe për të arritur suksesin e pritshëm.”
Ai theksoi se “ndërmjet dy institucioneve është në fuqi një Marrëveshje Mirëkuptimi, për të cilën ka ardhur momenti që t’i bëhen disa ndryshime të qënësishme, ndër të cilat vlen të përmenden fakti i shkëmbimit të hetimeve. Kjo është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit të ngushtë, mirëkuptimit dhe besimit të madh që prokuroritë e të dy vendeve kanë me njëra-tjetrën”.
Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “e sigurova z. Kabashi dhe nga ana e tij mora të njëjtin qëndrim, se bashkëpunimi mes dy institucioneve tona do të vijojë të ruajë ritme të larta.  Shpreh bindjen se, vetëm në këtë mënyrë, do të arrijmë të realizojmë pritshmërinë e opinionit publik në Shqipëri dhe Kosovë; forcimin e shtetit ligjor.”

Nisur nga realitet e reja të krijuara në Ballkan, Prokurori i Përgjithshëm Llalla garantoi homologun Kabashi se institucioni i Shqipërisë do të zhvillojë një aktivitet të ngjeshur për përfshirjen e prokurorisë kosovare në iniciativa rajonale dhe më gjerë.

Po ashtu, dy kryeprokurorët u shprehën mbështetjen maksimale për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Këshillit të Prokurorisë në Shqipëri dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dy organizma që diktojnë dhe promovojnë nisma ligjore dhe bashkëpunuese për dy shtetet.

Data: 01.10.2013