Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare sugjeron modifikimin e Marrëveshjes së Ekstradimit me SHBA

Prokurori i Përgjithshëm diskuton në Uashington me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për forcimin e bashkëpunimit në terma konkretë

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i cili po zhvillon takime të nivelit të lartë në Uashington (SHBA), diskutoi me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë, lidhur me mundësinë e nënshkrimit të një Traktati Ekstradimi të ri ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke vlerësuar dinamikën në rritje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, z. Llalla, gjatë diskutimeve u shpreh se “vlerësohet e nevojshme nënshkrimi i një dokumenti të ri në këtë fushë. Aktualisht, ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA është në fuqi Traktati i Ekstradimit, nënshkruar në vitin 1933. Prej asaj kohe, për shkak edhe të politikës izoluese të qeverisë shqiptare në periudhën 1945-1990, ky traktat nuk ka pësuar asnjë ndryshim”.

Për Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Traktati i cili është në fuqi, “ka  të parashikuar veprat penale për të cilat mund të realizohet ekstradimi, por lista e këtyre veprave është kufizuese”.
Shqipëria dhe SHBA kanë ratifikuar Konventa Shumëpalëshe sa i përket ratifikimit, por edhe këto akte ndërkombëtare, në vlerësimin e prokurorisë shqiptare, “kanë fusha mbulimi të kufizuara në vepra penale specifike”. Për këto arsye, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Shqipëria vlerëson se “është i nevojshëm nënshkrimi dhe ratifikimi i një traktati të ri, i cili të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ndihmojë autoritetet kompetente në përmbushje të detyrimeve të tyre sa u përket veprave penale dhe personave që kërkohen për ekstradim”.

Prokurori i Përgjithshëm Shqiptar, z. Llalla, vuri në dukje gjatë takimeve në Uashington se “konstatohet rritje e ndjeshme e kërkesave reciproke për ndihmë të ndërsjelltë juridike. Këto kërkesa, nga sa konstatohet aktualisht, kanë vonesa në realizimin e tyre për shkak të kanalave burokratike të komunikimit”.
Për të qenë më aktivë në plotësimin e këtyre kërkesave, z. Llalla, u shpreh se “vlerësojmë tëdomosdoshme nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në çështje penale”.

Propozimet e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë u përkrahën nga zyrtarët në Departamentin e Drejtësisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilët shprehën angazhimin për nënshkrimin e këtyre dokumentave, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh.

Para këtyre takimeve, z. Llalla zhvilloi biseda në terma konkretë me zyrtarëve të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), lidhur me kriminalitetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për raste specifike.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë prezantoi prioritetet dhe angazhimin e institucionit në luftën për çështje që kanë interes ndërkombëtar me Këshilltarin e Lartë për antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ndërmjet z. Llalla dhe ambasadorit Bradtke ishin arritjet e deritanishme dhe mbështetja e vazhdueshme amerikane në kuadër të goditjes së personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm europianë për dërgimin në konflikte të armatosura jashtë Europës.

 

Data: 30.10.2014