Njoftime për Shtyp

Prokuroria Shqiptare, vlerësim për bashkëpunim konkret me autoritetet kosovare

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, diskuton me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë së Kosovës, z. Hajredin Kuçi, për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, shprehur vlerësimin për nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe asaj kosovare gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi.

Takimi, i cili u zhvillua në kuadër të një vizite zyrtare të delegacionit shqiptar në Kosovë, u karakterizua nga fryma e përbashkët e respektit reciprok dhe nga vullneti për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe trafiqeve.

Gjatë bisedës, z. Llalla theksoi faktin se ekziston një aktivitet i ngjeshur ndërmjet institucioneve të drejtësisë, sidomos përsa i përket ekzekutimit të letër-porosive.

Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë nënshkruar Marrëveshje për Ekstradimin, Transferimin e Personave të Dënuar dhe Ndihmën e Ndërsjelltë Juridike në Çështjet Penale. Këto akte dypalëshe kanë dhënë efektet e tyre pozitive. Rrugës për në Prishtinë zhvilluam një takim në Prokurorinë e Rrethit të Kukësit dhe u konstatua një rritje e ndjeshme e bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore dhe hetimore në të dy anët e kufirit”.

 “Po ashtu,- u shpreh Prokurori i Përgjithshëm- është për t’u vlerësuar pozitivisht bashkëpunimi gjyqësor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit”.

Në takimin me z. Kuçi, Prokurori i Përgjithshëm ndau qëndrime të përbashkëta për intensifikimin e raporteve ndërshtetërore, me qëllim forcimin e zbulimit dhe ndëshkimit të elementëve kriminalë ndërmjet dy shteteve.

 

Data: 01.10.2013