Njoftime për Shtyp

Prokuroria: Vizioni i të rinjve, barometër për antikorrupsionin

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri, z. Alexander Arvizu, marrin pjesë në ceremoninë e mbylljes së fushatës sensibilizuese “Kundërshto Korrupsionin”, e cila u zhvillua gjatë muajve të fundit në shkollat e mesme të disa qyteteve të Shqipërisë

Në një seri takimesh disamujore, prokurorë të Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force të Prokurorisë Shqiptare, me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, diskutuan me të rinj të shkollave të mesme për efektet negative të korrupsionit dhe mënyrat e bashkëpunimit për luftën kundër tij.
Fushata sensibilizuese “Kundërshtoj Korrupsionin” arriti qëllimin e saj për të përfshirë aktivisht të rinjtë në denoncimin e rasteve të abuzimit me pushtetin, si edhe për t’u dhënë mundësi më të mëdha prokurorëve për të krijuar kontakte të drejtëpërdrejta me qytetarët.
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Ambasadori i SHBA, z. Alexander Arvizu, ishin të pranishën në ceremoninë e mbylljes së fushatës sensibilizuese, ditën e Enjte, dt. 17.04.2014, ku prezantuan përshtypjet e tyre lidhur me korrupsionin në Shqipëri.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla, në fjalën e tij, u shpreh:
I nderuar zoti Ambasador Arvizu,
Të nderuar të pranishëm,
Kemi një ndjesi e veçantë në këtë aktivitet. Prokuroria Shqiptare, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, misioni OPDAT, zhvilloi takime të drejtëpërdrejta me të rinj të shkollave për të marrë prej tyre botëkuptimin që ata kanë për korrupsionin.
Gjatë kësaj fushate ndërgjegjësimi arritëm të kuptonim dy gjëra: e para, që të rinjtë kanë vullnet për ta luftuar korrupsionin. E dyta, ajo që na bën të gjithëve të reflektojmë; kemi me të vërtetë shumë punë për të pasur sukses në këtë sfidë të institucioneve shqiptare.
Gjejmë rastin të falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë dhe sidomos ata të rinj, të cilët kanë shprehur vizionin për luftën kundër korrupsionit nëpërmjet talentit të tyre.
Sot më shumë se kurrë, secili nga ne që mban një pozicion zyrtar, duhet të shohë me sytë e nxënësve dhe të fokusohemi në përmirësimin e shërbimit publik.
Perceptimi i tyre për korrupsionin është real dhe i pandikuar. Është ai që duhet vlerësuar maksimalisht. Për prokurorinë shqiptare, qëndrimi i të rinjve është barometri kryesor për të vijuar me forcimin e luftës kundër korrupsionit.
Gjithashtu, një falenderim i veçantë i takon edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe misionit OPDAT për mbështetjen e vazhdueshme që i ofrojnë prokurorisë shqiptare.
Fushata “Kundërshtoj Korrupsionin” u realizua falë angazhimit maksimal të partnerëve tanë amerikanë dhe ambasadorit Arvizu në veçanti.
Në kuadër të takime ndërgjegjësuese, institucioni i prokurorisë ka ndërmarrë nisma konkrete. Nëpërmjet posterave dhe fletë-palosjeve, të shpërndara në qytete të ndryshme të Shqipërisë, qytetarëve u janë vënë në dispozicion mundësitë e kontaktit të drejtëpërdrejtë me strukturat e Njësive të Përbashkëta Hetimore kundër korrupsionit në të gjitha prokuroritë ku ato funksionojnë.
Mendojmë dhe besojmë se këto ura komunikimi janë shumë të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin e prokurorisë me qytetarët.
Ne të gjithë jemi të bindur se korrupsioni në Shqipëri ekziston. Po ashtu, duhet të pranojmë se kjo nuk është një sëmundje thjeshtë dhe vetëm shqiptare. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është përvetësimi i praktikave më të mira të vendeve të zhvilluara që kanë pasur sukses kundër korrupsionit.
Thelbi i këtij suksesi është pikërisht bashkëpunimi me qytetarët, të cilët e pësojnë nga veprimet korruptive. Për këtë arsye, prokuroria shqiptare do vijojë të dëgjojë vetëm zërin e qytetarëve për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Dhe qytetarët të flasin drejtëpërdrejtë me institucionet. Ashtu si edhe këta të rinj sot që kanë dhënë kontributin e tyre modest bashkëpunues, pa pretenduar të marrin rolin e prokurorit, pa dhënë gjykime për punën e institucioneve. Por vetëm duke ofruar bashkëpunimin e tyre. Ne, nga ana tjetër, duhet të vijojmë të jemi të vëmendshëm dhe t’u përgjigjemi me korrektesë dhe bazuar në ligj kërkesës së tyre për forcimin e shtetit ligjor. Vizioni i këtyre të rinjve është dhe duhet të jetë platforma e luftës kundër korrupsionit.

 

Data 17.04.2014