Njoftime për Shtyp

Prokuroria, akses të plotë për informacion personave me aftësi të kufizuar


Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuar, përfaqësuar nga z. Sinan Tafaj, për sigurimin e informacionit të kërkuar nga ana e pjesëtarëve të kësaj kategorie shoqërore
 
Prokuroria e Përgjithshme nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuar, me qëllim lehtësimin e kësaj kategorie shoqërore për aksesin në drejtësi.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar ditën e Mërkurë (dt.12.03.2014), ku një dokument të ngjashëm nënshkruan edhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës, Prokuroria e Përgjithshme u angazhua që të krijojë lehtësirat e nevojshme për dhënien e informacionit në bazë të kërkesave për personat me aftësi të kufizuara.
Në takim, mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, u përcoll nga Drejtori i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Adnan Xholi.
Për Prokurorin e Përgjithshëm “është kënaqësi që institucioni është pjesë e këtij paneli. Ftesa Juaj dëshmon se Prokuroria e Përgjithshme ia ka arritur qëllimit për t’u shndërruar në një institucion të hapur dhe social. Kjo, i vihet përballë një imazhi jo fort realist për prokurorinë, si një strukturë e mbyllur, e përbërë vetëm nga të dhëna të ngurta dhe sekrete. Për këtë arsye, e gjej me vend që t’ju falenderoj që në fillim për përfshirjen në aktivitetin tuaj.
E mirëpritëm me kënaqësi kërkesën për të dhënë kontributin në rritjen e aksesit mbi drejtësinë të personave me aftësi të kufizuar. Jemi të bindur se kjo mundësi duhet të ishte formalizuar kohë më parë. Kjo kategori sociale, e cila përbëhet nga rreth 150.000 persona, më shumë se kushdo tjetër, ka nevojë për lehtësira në sistemin e institucioneve publike dhe sidomos në ato të drejtësisë.
Gjithësesi, sot jemi të gjithë bashkë për të dëshmuar vullnetin e plotë se jemi të gatshëm që të krijojmë kushtet, brenda kornizave ligjore, që të realizojmë transparencën maksimale me përfaqësuesit e kësaj shtrese sociale.
Prokuroria e Përgjithshme ju garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme administrative dhe organizative për të mirëpritur dhe për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave të personave me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, është orientuar stafi e çdo prokurorie që të ofrojë asistencën e nevojshme ligjore dhe proceduriale për trajtimin e çështjeve me interes për këtë grup social.
Nga ana tjetër, prokuroria është e gatshme të vendosë në dispozicionin tuaj ekspertë pë rritjen e mëtejshme të hapësirave për akses në drejtësi.
Së fundi, ju garantojmë se organi i prokurorisë do të vijojë të jetë një ndër partnerët më seriozë në projektet tuaja për përmirësimin e kushteteve sociale dhe ligjore” përfundon mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla.

Tiranë më 12.03.2014