Njoftime për Shtyp

Prokuroria, angazhim për hetime proaktive anti-korrupsion dhe krimit të organizuar

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezantoi para Grupit të Punës së Këshillit të BE për rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB), objektivat dhe nismat konkrete të institucionit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në një takim të zhvilluar mesditën e së Enjtes (07.11.2013), z. Llalla theksoi se “lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është aktualisht një ndër fushat prioritare për vendin tonë, kjo për faktin e rrezikshmërisë se lartë shoqërore si dhe një element shumë i rëndësishëm në kuadër te integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se edhe “lufta kundër krimit të organizuar do të intensifikohet nëpërmjet përpjekjeve të koordinuara dhe harmonizuara të të gjithë institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese Shqiptare që janë të përfshira dhe që kanë detyrime në këtë fushe”.

Ndërsa lidhur me luftën kundër korrupsionit, Prokurori i Përgjithshëm Llalla u shpreh se “kjo sfidë është e lidhur ngushtësisht me luftën kundër krimit te organizuar, trafiqeve te paligjshme dhe terrorizmit, gjë që kërkon një bashkëpunim te thelluar mes agjencive te zbatimit të ligjit dhe atyre te inteligjencës”.

Z. Llalla deklaroi se “për të arritur rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit, organi i prokurorisë është angazhuar maksimalisht në ndërmarrjen e hetimeve proaktive më të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese”.

Anëtarët e grupit COWEB, të pranishëm në takim, shprehën mbështetjen e tyre për procesin e zgjerimi të BE-së, si edhe vlerësuan nismat e ndërmarra nga institucionet shqiptare për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tiranë më 07/11/2013