Njoftime për Shtyp

Prokuroria, bashkëpunim të vazhdueshëm me Këshillin e Ministrave për reformat në drejtësi

Prokurori i Përgjithshëmz. Adriatik Llalla dhe Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, prezantojnë para trupës drejtuese të Prokurorisë rekomandimet e Qeverisë Shqiptare për forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si edhe për forcimin e shtetit ligjor.

Në një takim ku merrnin pjesë të gjithë drejtuesit e prokurorisë, z. Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm dhe z. Nasip Naço, Ministër i Drejtësisë, kanë prezantuar rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuar organit të Prokurorisë për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2014.

Në fjalën e tij, të mbajtur sot (e Hënë-21.04.2014), Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin korrekt me Ministrinë e Drejtësisë, si edhe me Këshillin e Ministrave për hartimin e reformave në drejtësi. Gjithashtu, z. Llalla kërkoi nga drejtuesit e prokurorisë të angazhohen më shumë për shtimin e ritmit të hetimit. Duke u ndaluar tek prioritetet e organit të Prokurorisë, z. Llalla veçoi angazhimin e institucionit në luftën kundër korrupsionit, si objektivi madhor për rrugën drejt Bashkimit Europian.

Më poshtë është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla

I nderuar zoti Ministër i Drejtësisë
Të nderuar kolegë,

Së pari, në emër të Tuaj, falenderoj Ministrin e Drejtësisë, për komunikimin korrekt dhe institucional me Prokurorinë e Përgjithshme. Për ne është shumë e rëndësishme që z. Naço ka qënë pjesë e trupës së prokurorëve dhe që e njeh më së miri mënyrën e funksionimit të Prokurorisë.
Këtë takim po e organizojmë për të prezantuar Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për institucionin e prokurorisë. Institucioni ynë ka rol kryesor në hapat që po ndërmerr Shqipëria për integrimin në Bashkimin Europian. Ne kemi një detyrim madhor në përmbushjen e dy prej kritereve kryesore; luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2014, nga ana e organit të Prokurorisë kërkohet të fokusohet në 5 prioritete kryesore;
Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë,
Lufta kundër korrupsionit,
Lufta kundër krimit të organizuar,
Të drejtat e njeriut,
Bashkëpunimi ndërinstitucional.

Këto rekomandime, të cilat janë pjesë edhe e prioriteteve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe përbëjnë thelbin e kërkesave të Komisionit Europian për Shqipërinë, kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë edhe në të ardhmen busulla e orientimit në punën tonë.
Ndër këto rekomandime, veçoj përmbushjen e njërit prej tyre, i cili do të ndikonte në përmirësimin e gjithë elementëve të tjerë. Pikërisht, luftën kundër korrupsionit.

Prokuroria e Përgjithshme ka mbështetur projektet për forcimin e legjislacionit që lidhen me strategjinë anti-korrupsion. Është zhvilluar një komunikim korrekt me Ministrinë e Drejtësisë përsa i përket hartimit të amendimeve të Kodit Penal dhe të Kodit të Proçedurës Penale. Po ashtu, pritet të riorganizohet Prokuroria për Krime të Rënda, pas kalimit në kompetencë të kësaj strukture hetimi i veprave penale korruptive të kryera nga zyrtarët e lartë.

Prokuroria shqiptare ka mirëpritur dhe mbështet reformat e pritshme për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Praktika e përditshme ka evidentuar nevojën për reforimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe organin e Prokurorisë.
Po zhvillojmë komunikim intensiv me Ministrinë e Drejtësisë dhe faktorë të tjerë për të realizuar ato reforma që do të kenë ndikim real në përmirësimin e kuadrit ligjor, si edhe në punën e prokurorëve dhe të prokurorisë në përgjithësi.

Nga ana tjetër, në takimet e zhvilluara me drejtuesit e prokurorive, kam kërkuar angazhim më të madhe dhe rritje të cilësisë së hetimit. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme jo vetëm e Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe e të gjithë shoqërisë ndaj nesh. Dhe vlerësoj se prokuroria i ka të gjitha kapacitetet të japë më shumë.

Gjatë vitit 2013, në mënyrën e parashikuar nga ligji, u ndryshua thuajse i gjithë kuadri drejtues i prokurorisë. Prej të gjithë drejtuesve kam kërkuar dy gjëra të thjeshta, por edhe thelbësore; Së pari, korrektesë në zbatimin e ligjit. Së dyti; shpejtësi dhe saktësi në hetim. Mendoj që drejtuesit aktualë e kanë pasur të gjithë kohën dhe mbështetjen e duhur për të përmbushur këto dy kërkesa. Pjesa më e madhe e juaja ka arritur të ketë rezultate pozitive, por gjithësesi ka nevojë për ritëm më të lartë.

Mendoj se, edhe Ministri i Drejtësisë do t’i adresojë takimit të sotëm pikërisht nevojën për një ritëm më të lartë në hetime, si edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm të Këshillit të Ministrave me institucionin e Prokurorisë.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, i jap fjalën zotit Naço

 

Data 21.04.2014