Njoftime për Shtyp

Prokuroria dhe Policia, hetime që mund të ndryshojnë imazhin e vendit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla ,në fjalën e tij në takimin ndërmjet drejtuesve të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe Drejtorëve të Policisë së Qarqeve, deklaron se janë në zhvillim disa hetime, të cilat nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, do të dëshmojnë për forcën reale goditëse të strukturave ligjzbatuese në Shqipëri

I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
Të nderuar kolegë,

Takime si ky i sotmi janë shumë të nevojshëm, për të diskutuar mbi luftën e përbashkët kundër kriminalitetit.
Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë në linjën e parë të përballjes me persona që priren nga veprimet antiligjore. Prokurorët në të gjithë Shqipërinë po dëshmojnë se vetëm falë bashkëpunimit me policinë e shtetit dhe orientimit në veprimtarinë tuaj, mund të kemi sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Luftë e cila mbetet një ndër prioritet kryesore për integrimin evropian të vendit.

E gjej me vend të vlerësoj disa aspekte të këtij bashkëpunimi. Mund të veçoj si më kryesorin komunikimin korrekt dhe të shpejtë për kryerjen e veprimeve hetimore dhe goditëse. Konstatohet se, falë këtij koordinimi, ka ulje të ndjeshme të dekonspirimit të hetimeve.
Kontatohet se falë këtij bashkëpunimi ka rritje të efektivitetit dhe shpejtësisë së hetimeve,rritje të cilësisë së referimeve si dhe dhe mënyrave të kërkimit dhe marrjes së provave.

Së bashku kemi arritur të realizojmë operacione të shumta, ndër të cilat ka pasur edhe goditje të rëndësishme të grupeve dhe strukturave kriminale.
Nga ana tjetër, duhet pranuar që ka edhe problematikë, të cilën bashkërisht punojmë dita-ditës ta zbusim, ta eleminojmë. Dhe diçka e tillë arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit rigoroz të kërkesave ligjore.

Në bazë të pozicionit kushtetues dhe ligjor të institucionit, drejtuesit e prokurorive janë orientuar që të zhvillojnë analiza periodike me drejtuesit e policisë për të tejkaluar sfidat e hetimit. Këto takime janë shumë më të rëndësishme se sa evidentimi i problematikës së njëri-tjetrit. Kjo është fryma që iu është përcjellë drejtuesve të Prokurorisë në të gjithë strukturën dhe që ka gjetur të njëjtin qëndrim edhe nga ana e zyrtarëve të Policisë së Shtetit.
Në raport me gjykatat, vlerësojmë se Prokuroria dhe Policia e Shtetit i kanë të gjitha mundësitë që të jenë më bindës në seancat gjyqësore, duke siguruar fakte dhe prova të plota gjatë fazës së hetimit.
Prokuroria është e prirur të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë për strukturat policore përsa i përket respektimit rigoroz ligjit. Kjo është mënyra e vetme për të pasur rekorde pozitive në gjykatë.

Kjo frymë bashkëpunimi, e cila është e dukshme, është shoqëruar me raste konkrete suksesi. Falë bashkëpunimit tonë janë vendosur para përgjegjësisë penale gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të niveleve të ndryshme, grupe kriminale e shumë të tjerë. Ndërkohë, kemi shumë çështje nën hetim, disa prej tyre të një shkallë të tillë që, nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit.
Të nderuar kolegë,

Gjithashtu, në këtë takim të përbashkët, dua të vlerësoj edhe kontributin e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë përfitues të drejtëpërdrejtë të disa projekteve europiane dhe amerikane për forcimin e teknikave të hetimit. Falë tyre, kemi përmirësuar disa elementë të punës sonë, të cilët na ofrojnë me standartet e vendeve të zhvilluara.

Ajo, me të cilën dëshiroj të përmbyll këtë fjalim përmblidhet në një frazë shumë të thjeshtë: Sfida jonë e përbashkët është vetëm përballja me krimin. Nuk është e lehtë, por aspak e pamundur.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Data 16.05.2014