Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Krimeve të Rënda, objektivat për vitin 2014

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, merr pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe prezanton prioritetet për forcimin e rolit të kësaj strukturë në luftën kundër kriminalitetit
 
Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur një volum të shtuar pune gjatë vitit 2013. Kjo strukturë, për shkak edhe të specifikës së saj, natyrisht ka një peshë të rëndësishme në goditjen e kriminalitetin në Shqipëri.
Në gjykimin tim, është për t’u vlerësuar puna e prokurorëve të kësaj strukture. Rezultatet gjatë vitit të kaluar kanë qenë konkrete dhe të prekshme. Për këtë arsye, ju inkurajoj të vijoni punën me këto ritme.
Po ashtu, e shohim me vend të vlerësojmë edhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.  Bazuar në komunikimin korrekt ndërmjet dy strukturave, është arritur të zbulohen dhe vihen para përgjegjësisë ligjore autorë të veprave të rënda penale.
Gjithashtu, është për t’u vlerësuar edhe qëndrimi korrekt i Gjykatës për Krime të Rënda. Vendimet e dhëna nga gjyqtarët gjatë hetimeve paraprake, si edhe në vendimet përfundimtare i ka dhënë një ndihmesë të madhe punës së prokurorisë.
Tashmë për të gjithë është e qartë se prokuroria dhe gjykata për krime të rënda janë një hallkë shumë e rëndësishme për goditjen e kriminalitetit në Shqipëri.
Sipas statistikave, pozicionin kryesor në hetime e mbajnë veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike. Por, sfidë e kësaj prokurorie gjatë vitit 2013 kanë qenë edhe vepra të rënda penale kundër funksionarëve të policisë, krimet në familje dhe veprat e kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara.
Pa u përfshirë në detaje shifrash, po paraqes disa objektiva, të cilat duhen realizuar me efikasitet gjatë periudhës në vijim;
Së pari; Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet hetimit pasuror. Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të krijuara nga veprat penale dëmton rëndë strukturat kriminale. Zbatimi më efikas i ligjit Anti-Mafia sjell sukses në luftën kundër krimit të organizuar. Po ashtu, duhet të vijojë të jetë në nivele të larta bashkëpunimi ndërkombëtar në drejtim të hetimit të aseteve kriminale.
Së dyti: Hetimi për trafikun e qënieve njerëzore, sidomos të grave dhe të miturve do të shihet në një optikë të re. Krahas mbledhjes së provave për fajësinë e autorëve, duhet të punohet më shumë për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikut. Shumë nga viktimat e trafikimit, të gjendur në trysninë e autorëve të veprave penale, kanë vështirësi në bashkëpunimin me autoritetet.
Për këtë arsye, prokuroria do të angazhohet për të forcuar bashkëpunimin edhe me organizma joqeveritarë, të cilët mbrojnë viktimat e trafikut të personave.
Së treti: Dua të theksoj si një problematikë të veçantë ruajtjen e sekretit hetimor. Jemi përballur kohët e fundit me publikimin e elementëve, të cilat përbëjnë prova të rëndësishme material për proceset hetimore. Nxjerrja e këtyre të dhënave, natyrisht godet rëndë cilësinë e hetimit dhe vijimin e tij. Për këtë arsye, kërkoj nga të gjithë ju që t’i kushtoni vëmendje të veçantë kësaj kërkese proceduriale. Kjo është një praktikë antiligjore, e cila duhet të marrë fund. Në çdo rast që do të konstatohet nxjerrje informacioni, do të nisë menjëherë procedimi penal. Organi i prokurorisë duhet të jetë garant për respektimin e ligjit.
Së katërti: Duhet t’i kushtohet një rëndësi e veçantë rritjes së shpejtësisë dhe efikasitetit të hetimeve. Në analizë të veprimtarisë së vitit 2013, konstatohet se kjo është një çështje, e cila ka nevojë për përmirësim. Po ashtu, duhet rritur numri i hetimeve proaktive, pasi vlerësohen si një ndër mënyrat më të suksesshme për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet.
Së pesti: Në kuadër të përmirësimit të hetimeve, do të synohet forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo strukturë ka rritje të volumit të punës. Për këtë arsye, është e nevojshme rritja e burimeve njerëzore dhe teknike për të siguruar një hetim sa më të plotë dhe të shpejtë.
Po ashtu, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme do të vijojë të ketë mbështetje maksimale për rritjen profesionale të prokurorëve të Krimeve të Rënda. Të gjithë do të përfshiheni në programe të posaçme trajnimi, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale.
Realizimi i këtyre objektivave përbën hap të rëndësishëm cilësor në punën e strukturës Tuaj. Ju garantoj se do të keni mbështetjen e plotë të Prokurorit të Përgjithshëm. Por nga ana tjetër, ju siguroj se do të jeni në monitorim të vazhdueshëm për aktivitetin Tuaj.
Ju faleminderit për vëmendjen

 

Data 07.02.2014