Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme: Vlerësojmë mbështetjen nga Kuvendi i Shqipërisë

Prokuroria e Përgjithshme shpreh vlerësimin pozitiv për mbështetjen që Kuvendi i Shqipërisë shprehu për aktivitetin e institucionit, në seancën plenare të ditës së Enjte, dt. 03.07.2014.

Kuvendi i Shqipërisë votoi Rezolutën për Raportin “Mbi Gjendjen e Kriminalitetit për vitit 2013” të Prokurorit të Përgjithshëm, me 85 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim”.

Në rezolutë, ligjvënësit vlerësuan arritjet e institucionit, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit të kaluar, si edhe nxisin forcimin e mëtejshëm të forcës goditëse, në përmbushje të këtyre dy prioriteteve të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Gjithashtu, në diskutimet e tyre, deputetët shprehën gatishmërinë për t’i ofruar mbështetjen organit të Prokurorisë në drejtim të forcimit të kapaciteteve ligjore, njerëzore dhe logjistike, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.

Për institucionin e Prokurorisë, mbështetja nga ana e Kuvendit të Shqipërisë është një shtysë shumë e rëndësishme për të vijuar me intensitet të lartë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për forcimin e bashkëpunimit me të gjithë institucionet ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare.

 

Data 03.07.2014