Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme dhe Instituti i Sirakuza-s, diskutim për trajnimin e prokurorëve shqiptarë

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim drejtues të Institutit Ndërkombëtar të Sirakuzës për Drejtësi dhe të Drejtat e Njeriut, në të cilën u diskutua mbi mundësitë për trajnimin e prokurorëve shqiptarë lidhur me hetimet për krimin e organizuar, kriminalitetin ndërkombëtar dhe për marrëdhëniet juridiksionale ndërmjet strukturave të vendeve të ndryshme.

Instituti i Sirakuza-s, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Prokurorëve, zhvillon çdo vit kurse trajnimi për prokurorë nga shumë vende të ndryshme të botës. Gjatë takimit në Tiranë, zoti Llalla u propozoi drejtuesve të Institutit nënshkrimin e një marrëveshjeje, në bazë të të cilës t’u sigurohet prokurorëve shqiptarë pjesëmarrje periodike në kurset e organizuara prej tyre.

Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm u mbështet nga drejtuesit e Institutit të Sirakuza-s, të cilët shprehën gatishmërinë për të siguruar trajnimin e prokurorëve shqiptarë në temat që kanë rëndësi rajonale dhe globale.

Instituti i Sirakuza-s organizon kurse të ndryshme, të fokusuara në bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet strukturave hetimore.

Këto kurse u ofrojnë prokurorëve nga vende të ndryshme të Europës mundësinë për trajnimin dhe specializimin e tyre në legjislacionin dhe praktikat ndërkombëtare dhe transnacionale. Kurset janë dy-javore, me dy module të ndryshme. Moduli i parë përgatit prokurorët për të punuar me krimet ndërkombëtare dhe transnacionale. Moduli i dytë përqëndrohet në raste teorike dhe praktike të bashkëpunimit ndërkombëtar. Nëpërmjet këtyre kurseve, prokurorët përfitojnë metoda të ndryshme bashkëpunimi interaktiv.

Në kurset e zhvilluara në vitin 2016 nga Instituti i Sirakuza-s morën pjesë 52 prokurorë nga 34 vende. Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë e vlerëson pjesëmarrjen e prokurorëve në këto kurse si një mundësi të mirë për përmirësimin e metodave hetimore, si edhe aplikimin me sukses të tyre në hapësirën kombëtare.