Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme dhe UNICEF, trajnime të përbashkëta për trajtimin e të miturve në paraburgim

 Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe përfaqësuesi diplomatik i Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijet (UNICEF), z.Detlef Palm,  shprehën mirëkuptimin maksimal për trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore për çështjet penale, ku të akuzuar janë të mitur.

Z. Llalla i prezantoi z. Palm angazhimin e organit të prokurorisë për trajtimin e veçantë që bëhet në këto raste, si edhe shprehu nevojën për trajnime të vazhdueshme të përfaqësuesve të akuzës lidhur me hetimin, masat e paraburgimit dhe dënimit për persona nën 18 vjeç të përfshirë në vepra penale.

Gjithashtu, z. Llalla bëri të ditur se ka dhënë udhëzim për “prokurorët e specializuar për trajtimin e të miturve që të angazhohen për trajnimin e oficerëve të policisë gjyqësore, sidomos të atyre që funksionojnë pranë Policisë së Shtetit, që të bëjnë kujdes të veçantë lidhur me shoqërimin dhe marrjen në pyetje të të miturve. Në çdo rast, të miturit duhet të jenë të shoqëruar nga përfaqësues ligjor, nga familjarë apo kujdestarë të tyre, si edhe detyrimisht nga psikologë. Nga ana tjetër, prokurorët janë orientuar që të ndjekin një politikë më shumë riintegruese, sesa ndëshkuese për të miturit, duke kërkuar masa alternative dënimi që janë të prirura drejt edukimit dhe arsimimit të tyre”.

Nga ana e tij, z.Palm, pas prezantimit të disa çështjeve problematik të evidentuar në institucionet e riedukimit në Shqipëri, garantoi Prokurorin e Përgjithshëm se do të ofrojë mbështetjen maksimale për trajnimin e stafit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore lidhur me mënyrën e trajtimit të të miturve, në përputhje me aktet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje.

 

Data 07.02.2013