Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme është e angazhuar për bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Prokuroria e Përgjithshme është e angazhuar për bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
 
Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku garantoi ofrimin e çdo ndihme dhe shpjegimi në përputhshmëri me ligjin, për të trajtuar kërkesat mbi pastërtinë e figurës së personave të lidhur apo që kanë pësuar drejtpërdrejtë apo tërthorazi, nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit.
 
Zonja Marku priti dhe bisedoi me tematikën e rëndësishme të zbardhjes të së kaluarës, me kryetaren e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, znj.Gentiana Sula (Mara).
 
Kryeprokurorja Marku i dha përgjigje miratuese shtjellimit të çështjeve nga znj.Sula për të bashkëpunuar veçanërisht me prokurorinë për të gjitha rastet e personave që lidhen me të shkuarën, duke çmuar bashkarisht ndjeshmërinë madhore që ka për opinionin publik.
 
Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, znj.Sula, paraqiti disa çështje që kanë nevojë për mbështetje ndërinstitucionale për zbardhjen e të vërtetave të diktaturës.
 
“Ne jemi gati për t’u gjetur zgjidhje problemeve të shtruara. Padyshim që do ta kemi një mënyrë për të bashkëpunuar dhe për të ndërhyrë në përmbushje të detyrimeve ligjore”-tha Kryeprokurorja Marku.