Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme miraton Strategjinë Afat-mesme 2015-2017

Prokuroria e Përgjithshme ka miratuar Strategjinë Afat-mesme 2015-2017 dhe Planin e Veprimit në funksion të saj, ku fokusi kryesor vijon të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka nënshkruar këtë dokument, i cili parashikon objektiva konkretë, të cilat synojnë forcimin e standarteve të hetimit, si edhe rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të trupës së prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Strategjia afatmesme e Prokurorisë Shqiptare për periudhën 2015 – 2017 është e bazuar në përmbushjen me sukses të detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore për ndëshkueshmërinë pa kompromis të të gjitha kundravajtjeve penale, në të njëjtën kohë, duke garantuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ajo ka për qëllim të paraqesë në mënyrë të strukturuar objektivat dhe planin e veprimit për periudhën në fjalë. Në fokus të kësaj strategjie mbetet ndëshkimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si fenomene që mbajnë peng zhvillimin e vendit dhe shoqërisë, si dhe bëhen pengesë për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në funksion të këtij qëllimi madhor, kjo strategji afatmesme parashikon objektiva konkrete, të matshme dhe të arritshme, të cilat synojnë maksimalizimin e standardeve të proçedimit, rritjen dhe forcimin e profesionalizmit dhe integritetit të trupës së prokurorëve, përmirësimin dhe modernizimin e kapaciteteve teknike e teknologjike, mbrojtjen dhe fuqizimin e pavarësisë së institucionit, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet ligj-zbatuese partnere shqiptare dhe të huaja.

Kjo strategji është hartuar duke mbajtur parasysh performancën, arritjet dhe mangësitë e konstatuara në punën e organit të akuzës gjatë viteve të fundit, domosdoshmërine e përmirësimit sasior dhe cilësor të performancës në përputhshmëri me zhvillimet konkretete të vendit, si dhe me rekomandimet e Progres Raportit 2014 për Shqipërinë dhe dokumentet strategjikë kombëtarë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Strategjia Afatmesme 2015 - 2017 e Prokurorisë së Përgjithshme