Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme, takim-analizë me drejtuesit lokalë të Prokurorive

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, deklaron se “ka zhvillime të shumta në aspektin penal, të cilat kërkojnë angazhim maksimal të të gjithë strukturës së Prokurorisë Shqiptare”. Ky konstatim është prezantuar gjatë takimit me drejtuesit lokalë të Prokurorisë Shqiptare, në një mbledhje të zgjeruar, zhvilluar ditën e Premte (dt. 02.10.2015).

Zoti Llalla u shpreh se “aktiviteti i Prokurorisë Shqiptare, si në çdo kohë, vijon të ketë vëmendjen kryesore nga faktorë vendas dhe ndërkombëtarë. Ka shumë partnerë seriozë që mbështesin institucionin tonë dhe e konsiderojnë si një ndër paradhomat kryesore për zhvillimin të Shqipërisë”.

Per Prokurorin e Përgjithshëm, ky është një vlerësim të cilin duhet ta ndajmë edhe me agjenci të tjera, me të cilat gjithashtu duhet të ndajmë edhe përgjegjësitë për përmirësimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Pas një analize të thelluar mbi çështjet proceduriale, z. Llalla, në fjalën e tij, u ritheksoi drejtuesve të Prokurorive nevojën për komunikimin më të hapur me qytetarët, pasi, sipas tij “i gjithë funksioni ynë është në përmbushje të interesave të ligjshme të publikut”.

Duke u ndalur në këtë temë, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi nga drejtuesit lokalë që të marrin masa periodike për të mos lejuar vonesa në hetime. “Nga kontrollet periodike të Prokurorisë së Përgjithshme janë konstatuar raste të vonesave të pajustifikuara në veprimet hetimore nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Çdo rast i konstatuar do të jetë pjesë e vlerësimit vjetor si për personat përgjegjës, ashtu edhe për drejtuesit e prokurorive”, u shpreh z. Llalla. “Qytetarët presin zgjidhje ligjore në një kohë sa më optimale dhe për këtë arsye ne do të vijojmë të marrim masat ndëshkuese për prokurorët që nuk respektojnë parimet bazë të punës”.

Në vijim të këtij argumenti, Prokurori i Përgjithshëm bëri prezent edhe faktin që ka shumë ankesa nga qytetarë të ndryshëm, të cilët nuk priten në takime nga drejtuesit lokalë. “Ju duhet të dëgjoni qytetarët, të merrni shqetësimet e tyre mbi punën e prokurorëve dhe t’i shqyrtoni me strukturat përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme. Është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i qytetarëve, pasi i shërben përmirësimit të vazhdueshëm të punës sonë”.

Në takimin e drejtuesve të Prokurorive ishin pjesëmarrës edhe drejtuesit e Njësive Task-Force kundër Korrupsionit, me të cilët z. Llalla zhvilloi një takim të veçantë, ku u analizua situata aktuale e çështjeve në zhvillim, si edhe iu theksua mbështetja e plotë që Prokurori i Përgjithshëm ofron për veprimtarinë e tyre specifike.