Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme, takim rajonal me homologët e Rajonit për integrimin në BE

Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare, për herë të parë, zhvillon në Tiranë një takim me Prokurorët e Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, si edhe me praninë e disa prej personaliteteve më të njohur në fushën penale në Itali dhe Belgjikë për të diskutuar mbi Rolin e prokurorive të Ballkanit Perëndimor në integrimin në BE”.

Takimi po zhvillohet gjatë dy ditëve (në datat 26-27 Maj 2014), me mbështetjen financiare të Programit TAIEX të Komisionit Europian.
Në ditën e parë, krahas fjalës së hapjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë,
z. Adriatik Llalla, përshëndetën takimin edhe:
1.Z. Bashkim Dedja Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
2.Z. Xhezair Zaganjori Kryetar i Gjykatës së Lartë
3.Z. Nasip Naço Ministër i Drejtësisë
4.Z. Saimir Tahiri Ministër i Brendshëm
5.Z. Elvis Çefa Zv.Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Më poshtë gjendet fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla
FJALA E PROKURORIT TE PERGJITHSHEM NE TAKIMIN
“PROKURORITE RAJONALE KUNDER KRIMIT TE ORGANIZUAR”

I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, z. Dedja
I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë, z. Zaganjori
I nderuar ministër i Drejtësisë, z. Naço
I nderuar nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Çefa
Të nderuar kolegë dhe homologë

Së pari, ju falenderoj që u bashkuat në këtë takim.
Për Prokurorinë Shqiptare është kënaqësi e veçantë që sot kemi pranë nesh Prokurorët e Përgjithshëm të Malit të Zi, Bosnjë –Hercegovinës, Maqedonisë, dhe të Kosovës. Gjithashtu, vlerësojmë edhe praninë e kolegëve tanë nga vende të tjera të Europës, të cilët kanë njohje të posaçme për problematikën e kriminalitetit në Ballkan.
Takime të këtij niveli, dëshmojnë gjithmonë e më shumë frymën e bashkëpunimit që ekziston midis vendeve tona, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.

Vitet e fundit ka patur rritje të ndjeshme në drejtim të kërkesave për ndihmë juridike me autoritetet e huaja, ekstradimeve të subjekteve në ndjekje penale ose të dënuar penalisht, njohjes së vendimeve gjyqësore penale, transferimit të të dënuarve, etj.
Kjo tendencë në rritje lidhet dhe me faktin se, veprimtaria kriminale në përgjithësi dhe krimi i organizuar në veçanti, ka kaluar kufijtë nacionalë, duke u bërë gjithnjë e më shumë problem rajonal e global.
Në Shqipëri, por edhe në shumë vende të rajonit, çështja e krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike është një problem në rend të ditës. Shumë raporte të agjencive të specializuara ndërkombëtare e konsiderojnë Ballkanin një pikë të rëndësishme tranziti të lëndëve të forta narkotike drejt Europës Perëndimore.

Gjithashtu, ky rajon po konsiderohet nga këto raporte edhe si vend prodhues i lëndëve narkotike, kryesisht të marijuanës. Dhe kjo çështje, natyrisht vlerësohet si shqetësuese për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Të nderuar kolegë,
Vendet e Ballkanit janë të vetëdijshëm për problematikën e tyre dhe janë të angazhuara, brenda të gjitha mundësive të tyre, të godasin këtë fenomen.
Në Shqipëri, të gjitha strukturat e specializuara, por edhe faktori politik, janë në të njëjtin qëndrim për rritjen e efikasitetit në këtë drejtim. Nga ana e saj, Prokuroria Shqiptare, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, ka shtuar ndjeshëm forcën goditëse kundër grupeve kriminale që organizojnë trafiqet e paligjshme.

Po ashtu, në bashkëpunim me agjencitë homologe është arritur të shkatërrohen disa organizata të fuqishme kriminale, të cilat veprojnë në disa vende të Europës. E megjithatë, problemi vijon të mbetet i pranishëm.
Institucionet shqiptare, në njëzet vitet e fundit, po përballen me forma të kriminalitetit që janë shumë më të zhvilluara se kapacitetet shtetërore.
Falë mbështetjes së partnerëve europianë dhe amerikanë, strukturat ligjzbatuese në Shqipëri po forcojnë aftësitë e tyre goditëse.
Gjithashtu, po përmirësohen edhe teknikat për luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të grupeve kriminale brenda radhëve të zyrtarëve shtetërorë.

Por gjithësesi, kjo është një sfidë e përhershme, e vështirë dhe që kërkon kohën e saj për të forcuar shtetin ligjor, për ta bërë të krahasueshëm me vendet e Bashkimit Europian.
Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar është një ndër mënyrat kryesore për rritjen e efiktivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale. Tashmë mendoj se ka ardhur koha që në vendin tonë të parashikohen rregullimet e nevojshme ligjore për ngritjen dhe funksionimin e ekipeve të përbashkëta hetimore rajonale. Këto instrumenta vlerësohen të rëndësishëm në një sërë konventash ndërkombëtare dhe kërkojnë zbatimin e një bashkëpunimi të shpejtë dhe efikas ndërmjet autoriteteve kompetente të vendeve të ndryshme.

Të nderuar kolegë,
Shqipëria, por besoj edhe vendet e tjera të rajonit, e mirëkuptojnë shqetësimin e vendeve të Europës Perëndimore lidhur me krimin e organizuar ballkanik. Ajo që ne po mundohemi të bëjmë, është që me aktivitetin tonë të krijojmë besimin e nevojshëm tek strukturat europiane se jemi bashkëpunëtorë të tyre.
Por nga ana tjetër, krimi i organizuar është një fenomen që prek shumë kufij dhe, madje, edhe kontinente.
Për këtë arsye, krahas rolit të institucioneve të rajonit tonë në luftën kundër kriminalitetit ndërnacional, është shumë e domosdoshme impenjimi i strukturave europiane në ndihmë të vendeve të Ballkanit.
Prej vitesh, institucionet shqiptare janë përfituese të programeve të Bashkimit Europian për forcimin e shtetit ligjor. Këto programe kanë dhënë kontributin e tyre. Por, duket se Ballkani, duke theksuar këtu Shqipërinë, ka nevojë më të madhe, të gjithanshme, për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar. Dhe kjo luftë nuk mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet strukturave policore, prokurorisë dhe gjykatave. Në radhë të parë, kjo sfidë përballohet nëpërmjet programeve të zhvillimit ekonomik. Pavarësisht se shteti shqiptar po punon në maksimumet e tij për rritjen ekonomike, kapacitetet e një vendi të vogël si Shqipëria, me burime të kufizuara prodhuese, nuk mund të jenë të krahasueshme kurrësesi me vende të mëdha të Europës.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që, për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, Europa duhet të vijojë të japë suport më të madh në drejtim të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Ajo që autoritetet shqiptare vlerësojnë si prioritare në këtë drejtim dhe që kanë punuar për ta merituar, është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ky është një hap i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit dhe përafrimit me vendet e Europës Perëndimore.

Pas pak javësh, Këshilli Europian do të diskutojë këtë mundësi të Shqipërisë. Besojmë se kemi arritur në atë fazë të zhvillimit politik dhe institucional që të bindim vendet anëtare të Unionit për të na hapur rrugën e mëtejshme të integrimit.
Ky zhvillim politik do të ndikonte drejtpërdrejtë në projektet financiare, gjë e cila do të sjellë zhvillim të mëtejshëm ekonomik të vendit. Dhe, praktikisht, rritja ekonomike e vendit do të ndikonte pozitivisht edhe në uljen e normës së kriminalitetit.

Një vend i zhvilluar ekonomikisht nuk ka përse të gjejë rrugë pasurimi nëpërmjet mënyrave të paligjshme. Kjo është një aksiomë, e cila ka gjetur zbatim në vendet e zhvilluara në të gjithë botën.
Për këtë arsye, duke përfituar edhe nga prania në këtë takim e homologëve tanë nga vendet e Bashkimit Europian, do të sugjeroja që të paraqesin këtë këndvështrim të autoriteteve shqiptare tek zyrtarët politikë të vendeve të tyre. Ky sugjerim është në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, pasi ky fenomen është problem sa rajonal, po aq edhe europian.

Autoritetet shqiptare, nga ana e tyre, ju garantojnë kontributin, angazhimin dhe bashkëpunimin maksimal për një Ballkan dhe Europë më të sigurt.

Të nderuar kolegë,
Ajo që kërkon Shqipëria, dhe besoj edhe i gjithë Ballkani, është mbështetja më e madhe. Dhe ne do ta shndërrojnë këtë suport në efikasitet më të lartë në luftën kundër krimit të organizuar.


Ju faleminderit për vëmendjen!

Data 26.05.2014