Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Përgjithshme trajnim mbi Mbrojtjen e të dhënave Personale

Prokuroria e Përgjithshme trajnim mbi Mbrojtjen e të dhënave Personale
 
Më datë 22 Korrik 2019 u zhvillua një trajnim mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në këtë trajnim morën pjesë të gjitha Pikat e Kontaktit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në të gjitha Prokuroritë e të gjitha niveleve. Trajnimi u zhvillua nga dy ekspertë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
 
Trajnimi u zhvillua në kuadër të kërkesave për mbrojtjen e të dhënave personale që burojnë nga Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST e nënshkruar më 23.10.2018 dhe ratifikuar me Ligjin Nr. 113/2018. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Prokurori i Përgjithshëm dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nënshkruan më 25.02.2019 një Planveprim në kuadër të Nënshkrimit dhe Zbatimit të Marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet RSH dhe Eurojust.
 
Një nga veprimet e parashikuara në këtë planveprim ishte dhe emërimi i Personi i Kontaktit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Prokuroritë e të gjitha niveleve dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Personi i Kontaktit është një pozicion shumë i rëndësishëm për subjektet përpunuese të të dhënave personale, pasi ai është personi që realizon mbikëqyrjen e brendshme të mbrojtjes së të dhënave personale të përpunuara. Personi i Kontaktit vlerëson riskun e shkeljes së të drejtave dhe lirive të subjekteve të të dhënave si dhe mban kontakte të vazhdueshme me Komisionerin për rastet e rreziqeve të shkeljes së të drejtave të subjekteve të të dhënave, përfshirë shkeljen e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave, etj.
 
Trajnimi u përqendrua në shpjegimin e parimeve bazë të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si parimi i ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave personale, parimi i mjaftueshmërisë së të dhënave, parimi i saktësisë së të dhënave, parimi i afatit të mbajtjes së të dhënave si dhe u trajtua dhe u dhanë interpretime lidhur me parashikimet e rregullores së Prokurorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, duke u ilustruar me shembuj konkretë.