Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Shkodrës, sekuestro për prona dhe automjete

Prokuroria e Shkodrës, sekuestro për prona dhe automjete Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro për tre pasuri të paluajtshme dhe 4 automjete, të regjistruara në emër të shtetasit Kacjolin Zefi, i cili gjendet i arrestuar për llogari të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, si i dyshuar për “trafik narkotikësh”.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimin, në bazë të referimit të Policisë. Shtetasi Zefi është arrestuar në nëntor 2016, pasi ishte pjesë e një grupi që synonte të trafikonte nga porti i Durrësit drejt Italisë një sasi prej rreth 700 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Pas arrestimit të tij, Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se shtetasi Kacjolin Zefi ka qarkulluar shuma të mëdha parash në llogarinë e tij personale.
Gjithashtu, ai dhe familjarë të tij të afërt kanë në pronësi pasuri të paluajtshme si më poshtë:
• një truall 53 m2 + ndërtesë;
• një ndërtesë 100 m2; si edhe
• një apartament 78 m2

Nga verifikimet rezultoi se në emër të personit të dyshuar janë regjistruar edhe 5 automjete, një prej të cilave “Ferrari”.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Shkodrës ka kryer verifikimet dhe, deri në këtë fazë të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Kacjolin Zefi dhe familjarët e tij nuk kanë pasur mundësi reale financiare për krijimin e pasurive të mësipërme.

Në këto kushte, Prokuroria kërkoi vendosjen nën sekuestro të këtyre pasurive, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Shkodrës.