Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Shqipërisë dhe Prokuroria e Kosovës, forcim bashkëpunimit ndërinstitucional

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim Prokurorin e Shtetit të Kosovës, z. Kabashi, ku u diskutua mbi mënyrat efikase të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve
 
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla dhe Prokurori i Shtetit i Kosovës, z. Ismet Kabashi diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për luftën kundër kriminalitetit në të dy anët e kufirit.
Gjatë një takimi, të zhvilluar ditën e sotme (e Enjte-27.02.2014) në Tiranë, z. Llalla vlerësoi arritjet në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet dy vendeve në vitin 2010, si edhe shprehu gatishmërinë e prokurorisë shqiptare për të vijuar ngritur në nivel më të lartë koordinimin me autoritetet e drejtësisë së Kosovës.
Ky qëndrim i z. Llalla u mbështet edhe nga ana e homologut të tij, z. Kabashi, i cili nga ana e tij shprehur vlerësimet pozitive për bashkëpunimin me prokurorinë shqiptare.
Prokuroria shqiptare dhe e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të ndikojnë në institucionet e tjera përgjegjëse për strukturimin e hapësirave për shkëmbimin e hetimeve lidhur me qytetarët shqiptarë që kryejnë vepra penale në territorin e Republikës së Kosovës, por që nuk sjellin pasoja për interesat e shtetit apo të qytetarëve kosovarë dhe anasjelltas.
Në statistikat vjetore të vitit 2013, rezulton se Prokuroria Shqiptare dhe Prokuroria e Kosovës kanë intensifikuar ndjeshëm raportet ndërmjet tyre. Konstatohet rritje e ndjeshme e kërkesave për ekstradim nga Republika e Kosovës, si pasojë e nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Dypalëshe “Për ekstradimin” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ratifikuar me Ligjin nr. 2, të vitit 2013 (hyrë në fuqi më 12.04.2013).
Po ashtu, sa i takon kërkesave për ndihmë juridike në çështjet penale të ardhura nga autoritetet e huaja, gjatë vitit 2013 konstatohet se numrin më i lartë i kërkesave ka ardhur nga shtetet kufitare, ndër të cilat Kosova, me 125.

 Data 27.02.2014