Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Tiranës, hetime të plota për rastin e “Serverit të Tatimeve”

 
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, pas kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
 
 
Në bazë të materialit që i është referuar prokurorisë, institucioni kallëzues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj një ish-punonjësi të saj, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dyshon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e saj elektronik.
 
Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen verifikimet e nevojshme, si edhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar pranë Policisë Shkencore.
 
Në të njëjtën kohë, organi i Prokurorisë ka ndjekur pamjet filmike në televizionin “News 24”, të publikuara ditën e Mërkurë, dt. 22.01.2014, në të cilat paraqiten disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedure e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë.
 
Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore, do t’i kërkohet zyrtarisht televizionit “News 24” që të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë për “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.
 
Tiranë më 22.01.2014