Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Vlorës: Të dënohet me 9 vjet burgim ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika

Prokuroria e Vlorës kërkon dënimin me 9 vite burgim për ish-kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, si edhe nga 6 vjet burgim për dy persona të tjerë, të akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndërtimit të paligjshëm”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në analizë të të dhënave hetimore, Prokuroria e Vlorës deklaron se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Shpëtim Gjika, ka konsumuar plotësisht veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, të kryer shtatë herë dhe në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndërtimi i paligjshëm” të kryer në tokën e tjetrit dhe në tokën shtetërore, të kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar  si vepra  penale nga nenet  186/3 e 25, 199a/2 e 25, 248 dhe 301 të K.Penal.

Nga hetimi u provua se objekti godinë banimi dhe shërbime 3-8-10-11 kate dhe 1-kat nën tokë në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë (Objekti A dhe B) është ndërtuar pa leje ndërtimi. Ky objekt është ndërtuar në pronë shtet dhe në pronë të të tretëve, por për ndërtimin e këtij objekti, i pandehuri Artur Haxhi është pajisur me dokumente leje ndërtimi me përmbajtje të falsifikuar nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Doriana Sulaj. Rezulton e provuar se në mbledhjen e KRRT-së pranë Bashkisë Vlorë të datës 17/01/2011, nuk është marrë në shqyrtim dhe nuk është miratuar ndonjë leje ndërtimi në favor të subjektit ndërtues “TURI&MZB” sh.p.k. Por nga ana e të pandehurit Shpëtim Gjika, fillimisht është përpiluar dokumenti “Vendimi nr. 1/19 datë 17/01/2011” i KRRT-së pranë Bashkisë Vlorë, sipas së cilit është miratuar shesh e leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbimi 3-6-8 kate, 1-kat nën tokë në lagjen “Hajro Çakërri” më pronarë familja Osmani, Muahmuti, Muharremi, Beqiraj, Kamberi e subjekti ndërtues “TURI&MZB”. Rezulton e provuar se ky dokument është përpiluar sipas kërkesës së të pandehurit Artur Haxhi, dokument i cili është përdoruar nga ky i fundit si pranë organeve të adminsitratës publike ashtu edhe pranë noterëve publik.

Pas përpilimit të dokumentit të mësipërme, i pandehuri Shpëtim Gjika, ka hartuar dhe nënshkruar edhe një dokument tjetër me përmbajtje të falsifikuar. Konkretisht është perpiluar dhe nënshkruar dokumenti “Vendimi nr. 1 datë 17/01/2011”. Në këtë dokument janë pasqyruar vendimet e marra nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë në datën 17/01/2011. Në numrin rëndor “19” të këtij vendimi është pasqyruar fakti se: “Miratohet shesh dhe leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbimi 3-8-10-11 kate, 1 kat nëntokë në lagjen “Hajro Çakërri” me subjekt ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me pronarë familja Osmeni, Mahmuti, Muharremi, Beqiraj, Kamberi”.

Pas përpilimit të dy dokumenteve të mësipërme i pandehuri Shpëtim Gjika në bashkëpunim me të pandehurit Doriana Sulaj dhe Artur Haxhi, kanë lejuar këtë të fundit, që të paraqesë dhe të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor pranë Bashkisë Vlorë. Dakortësia për të lejuar të pandehurin Artur Haxhi për të paraqitur këto dokumente është bërë në kundërshtim me ligjin nr.8405 datë 17/09/1998 “Për urbanistikën” dhe VKM nr. 722 datë 17/09/1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”. Këto veprime përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të cilat kanë sjellë si pasojë ndërtimin e një objekti në pronë publike dhe në pronë të të tretëve. Ky veprim është ndërmarrë me qëllim që ky dokumentacion ti përshtatej dokumentit “Vendimi nr. 1/19 datë 17/01/2011” i KRRT-së pranë Bashkisë Vlorë, sipas së cilit është miratuar shesh e leje ndërtimi për godinë banimi dhe shërbimi 3-6-8 kate, 1-kat nën tokë në lagjen “Hajro Çakërri” më pronarë familja Osmani, Muahmuti, Muharremi, Beqiraj, Kamberi e subjekti ndërtues “TURI&MZB” sh.p.k.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të procedimit penal nr. 1264 të vitit 2014, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë kërkoi:
- Dënimin e të pandehurit Shpëtim Gjika me 9 (nëntë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 186/3 e 25, 248, 199/a/2 e 25 dhe 301 të Kodit Penal.
- Dënimin e të pandehurës Doriana Behari (Sulaj) me 6 (gjashtë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 186/3 e 25, 248 dhe 199/a/2 e 25 të Kodit Penal.
-  Dënimin e të pandehurit Artur Haxhi me 6 (gjashtë) vite burgim, për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 199/a/2 e 25 të Kodit Penal.

- Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të produkteve të veprës penale e konkretisht:
a) Objekti godinë banimi dhe shërbime 3-8-10-11 kate dhe 1-kat nën tokë në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë (Objekti A), të ndërtuar nga subjekti ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “sekuestro preventive” me vendimin gjyqësor nr. 66 datë 09/02/2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë
b) Objekti godinë banimi dhe shërbime 3-8-10-11 kate dhe 1-kat nën tokë në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë (Objekti B), të ndërtuar nga subjekti ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “sekuestro preventive” me vendimin gjyqësor nr. 263 datë 15/04/2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.