Njoftime për Shtyp

Prokuroria e gatshme për asistencë koordinatorëve antikorrupsion

 
Cilësia e kallëzimeve penale dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërinstitucional janë dy element kyç të suksesit në luftën kundër korrupsionit.
 
 
Në një takim të përbashkët, të organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme, OPDAT dhe Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, u prezantuan koordinatorët e rinj të institucioneve kryesore bashkëpunuese me Njësitë e Përbashkëta Hetimore të prokurorisë.
 
Gjatë diskutimeve në tryezën e përbashkët, zhvilluar të Premten (dt. 24.01.2014), ku merrte pjesë edhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Bledi Çuçi, njëkohësisht koordinatori kombëtar kundër korrupsionit, organi i prokurorisë paraqiti detyrat kryesore të çdo institucioni për luftën kundër korrupsionit.
 
Shefi i Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Madrid Kullolli, u shpreh se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucione janë shumë të rëndësishme për përballimin e sfidës kundër abuzimit me pushtetin publik. Duke folur për aktivitetin gjatë vitit 2013, z. Kullolli theksoi se “kallëzimet që referohen në prokurori duhet të jenë të plota, me qëllim që ndjekja penale të vijojë normalisht dhe të pandehurit të marrin dënimin në gjykatë. Për këtë arsye, organi i prokurorisë është i gatshëm të ofrojë asistencën e tij ligjore për çdo rast. Ky angazhim vjen, së pari si një detyrim ligjor dhe së dyti si rrjedhojë e vijimësisë së Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet gjashtë institucioneve, nënshkruar në vitin 2009, për ngritjen dhe funksionimin e Task-Forcave pranë disa prej prokurorive të rretheve gjyqësore”.
 
Më tej, në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues të OPDAT-it (Zyra për Asistencë Ligjore e Departamentit Amerikan të Drejtësisë), drejtuesit e Njësive të Përbashkëta Hetimore të Prokurorisë, si edhe koordinatorët e rinj antikorrupsion: Z. Ergys Hoxha, Drejtor i Zyrës Anti-korrupsion pranë Këshillit të Ministrave; z. Ahmet Prençi, Drejtor i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; z. Admir Braja, Drejtor i Hetimit Doganor dhe të tjerë të pranishëm.

 Data 24.01.2014