Njoftime për Shtyp

Prokuroria, ekuilibër ndërmjet hetimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut

Prokuroria Shqiptare prezanton angazhimin dhe problematikat e hasura gjatë procedimeve penale për respektimin e të drejtave të njeriut në ambjentet e privimit të lirisë, në një aktivitet të zhvilluar nga Avokati i Popullit dhe OSBE


Prokuroria Shqiptare, gjatë aktivitetit të saj institucional, i kushton kujdes të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut në rastet e personave, të cilëve u është privuar liria me vendim gjyqësor. Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, z. Adnan Xholi, prezantoi angazhimin e saj në këtë drejtim, në takimin e zhvilluar nga Avokati i Popullit dhe OSBE lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në ambjentet e vuajtjes së dënimit dhe në paraburgim.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Prokurorisë, u shpreh:

Prokuroria Shqiptare, pavarësisht se në natyrën e tij është një organ represiv në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe shtetit, nga viti në vit po angazhohet për të alternuar politikën penale, duke e forcuar kërkesën për masa sigurie dhe dënim përfundimtar për personat që kanë kryer vepra të rënda penale dhe nga ana tjetër, duke e zbutur qëndrimin për subjektet që kryejnë veprat penale me pasoja të vogla.
Pa dashur të përfshihemi në labirinth statistikash, mund t’ju përcjellim në këtë takim se, gjatë vitit 2014, prokuroria ka kërkuar dënime alternative në rreth 44 përqind të rasteve, që krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 12 përqindësh. Pra, dukshëm, Prokuroria Shqiptare në kërkesat e saj para gjykatës po anon drejt dënimeve alternative, duke mos e konsideruar burgimin si zgjidhje kryesore.

Sa u përket masave të sigurisë, ka një rritje të kërkesave të prokurorisë për aplikimin e tyre. Por, kjo statistikë duhet dhënë e shoqëruar me numrin e procedimeve të regjistruara dhe dërguara për gjykim, të cilat janë rritur si asnjë vit më parë, rreth 66 përqind më shumë, krahasuar me vitin 2013. Pra, në sajë dhe të bashkëpunimin me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit është rritur forca goditëse, zbuluese dhe hetimore, gjë e cila ka sjellë si rrjedhojë edhe rritjen e kërkesave në vlera absolute për masat e sigurisë.

Ndryshe nga sa është praktika, Prokuroria Shqiptare është treguar e ashpër në kërkesat për masa sigurie për disa vepra penale specifike.
Në të shumtën e rasteve, është kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg” për disa lloje veprash penale, të cilat marzhet e dënimit nuk i kanë shumë të larta, por pasojat në jetën e shoqërisë shqiptare janë të mëdha. Këtu mund të përmenden disa vepra si, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, ndërtimet pa leje, apo vjedhja e energjisë elektrike.

Të gjithë jemi dëshmitarë se rrugët e Shqipërisë kanë një rrezik specifik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, për shkak të manovrimeve të gabuara të drejtuesve të automjeteve. Për këtë arsye prokuroria e ka forcuar ndjeshëm politikën e saj penale sa u përket masave të sigurisë dhe dënimeve për këtë vepër, me qëllim ndërgjegjësimin e çdo qytetari që drejton mjetin të respektojë jetën dhe shëndetin e shtetasve të tjerë.

Po ashtu, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se shumë qytete shqiptare, pavarësisht bukurive natyrore, afrojnë shumë pak nga resurset e tyre, për shkak të ndërtimeve të paligjshme. Prokuroria Shqiptare ka ndjekur një politike të ashpër penale si për qytetarët që kanë ndërtuar pa kriter kryesisht në tokën publike, shtetërore apo në tokën e tjetrit, po ashtu edhe për zyrtarët që kanë dhënë leje ndërtimi në mënyrë abusive dhe në kundërshtim me ligjin. Vetëm për vitin 2014 janë mbi 20 drejtues lokalë të cilët janë marrë të pandehur për vepra penale që lidhen me ndërtimet e paligjshme. Dhe goditja mbi paligjshmërinë në këtë drejtim po vijon.

Gjithashtu, Prokuroria është treguar e ashpër në politikën e saj edhe në rastet e veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë, në rastet kur abonentët kanë qenë aktivitete fitimprurëse. Dëmi ekonomik që i shkaktohet shtetit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi nga kjo vepër penale është shumë i konsiderueshëm. Në vlerësimin tonë, politika penale e vijës së fortë në këto vepra penale ndihmon premisat e Shqipërisë për t’u forcuar ekonomikisht dhe për të rritur sigurinë në vend.

Megjithatë, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është kërkuar nga prokuroritë e niveleve më të ulta të veprohet me maturi për çdo rast të tillë, për të mos rënduar më shumë pozitat e personave të dyshuar. Në një rast, kur vlerësimi ka qenë jo në proporcion me dëmin e shkaktuar, janë aplikuar masat administrative për prokurorë dhe drejtues prokurorie, të cilët nuk kanë menaxhuar si duhet situatën.

Gjithësesi, për të ruajtur një balancë ndërmjet ndëshkimit penal dhe të drejtave të njeriut, nga ana e Prokurorisë, për veprat e sipërpërmendura është aplikuar gjykimi i posaçëm i drejtëpërdrejtë ose/dhe i shkurtuar. Pra, pavarësisht masave të ashpra të sigurisë, në gjykim institucioni ynë është orientuar drejt zgjidhjes sa më të shpejtë ligjore ndaj personave të akuzuar për shkelje të tilla.

Por gjithashtu, Prokuroria ka shtuar aktivitetin e saj në mbrojtje të qytetarëve në rastet e veprimeve arbitrare të organeve të sigurisë ndaj tyre. Këtu mund të përmenden rastet e fundit të bëra publike, por jo vetëm këto, në të cilat qytetarët kanë qenë objekt i akteve arbitrate nga ana e zyrtarëve të policisë. Në çdo rast që prokuroria ka pasur informacion në bazë të ankimit apo të referimit nga struktura të ndryshme, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale.

Nga ana tjetër, politikë e kujdesshme është ndjekur nga prokuroria në kërkesat e saj për të pandehurit e mitur dhe të pandehurat femra. Ka shënuar rritje të ndjeshme kërkesa e prokurorëve për masa sigurie alternative nga ajo e arrestit me burg. Po ashtu, edhe në dënimin përfundimtar, organi i prokurorisë ka dëshmuar kujdes në kërkesat e saj, me qëllim riintegrim të personave të mitur dhe të të pandehurave femra, të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Këtë fjalë dëshirojmë ta mbyllim me një problematikë, e cila ka vite që kërkon zgjidhje.

Evidentohet se gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 35 mijë procedime penale, si dhe janë trajtuar rreth 53 mijë materiale kallëzuese, përqindja gjithnjë e në rritje e personave për të cilat këmi kërkuar dënime alternative, na kushtëzon në ambjentet se ku do mbahen këto persona të privuar nga liria.

Në disa raste nga ana jmonë është ngritur si shqetësim, i cili me të drejtë është kërkuar dhe nga Organizatat joqeveritare që të pandehurit me aftësi mendore të kufizuara, apo të miturit të vuajnë dënimin në ambjente në posaçme. Ky është një shqetësim, i cili është ngritur shpesh edhe nga ana e prokurorisë dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga të gjitha strukturat përgjegjëse. Aktualisht, në Shqipëri ekzistojnë në numër të pakët, apo nuk ka fare institucione të posaçme për trajtimin e personave me këtë problematikë shëndetësore, apo për vendosjen e të miturve në institucione edukimi. Por, rrezikshmëria e tyre e lartë shoqërore detyron prokurorinë që në disa raste t’i dërgojë këta persona në ambjentet e spitalit të burgut, apo dhe burgje normale, gjë e cila nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme për trajtimin e tyre, por është alternativa më e mirë, të paktën për momentin, për sigurinë publike.