Njoftime për Shtyp

Prokuroria, garant i mbrojtjes së të dhënave personale

Prokuroria Shqiptare dhe Projekti “IPA 2010” i Bashkimit Europian organizojnë konferencën rajonale “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë hetimit penal”. Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla prezanton masat për përmbushjen e detyrimit kushtetues dhe ligjor në sistemin e prokurorisë shqiptare.

Prokuroria Shqiptare ka në fokus të veçantë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit hetimor. Për përmbushjen maksimale të këtij detyrimi kushtetues dhe ligjor, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka nënshkruar në Prill të vitit 2013 Rregulloren e Posaçme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Një vit pas hyrjes në fuqi të saj, në bashkëpunim edhe me Projektin IPA 2010 të Bashkimit Europian, ditën e enjte (10.04.2014), u zhvillua një takim për të për të parë efektet e saj dhe përmirësimin e mjeteve për mbrojtjen e integritetit moral dhe personal të personave nën hetim. Gjatë takimit dy-ditor, përfaqësues të prokurorisë shqiptare, ekspertë të Bashkimit Europian dhe prokurorë nga prokuroritë e vende të Europës Juglindore, do të diskutojnë mbi përafrimin me standartet europiane të aktivitetit institucional të prokurorëve.

PROKURORI I PËRGJITHSHËM, Z. ADRIATIK LLALLA, NË FJALËN E TIJ PËRSHËNDETËSË, U SHPREH:

“Për Prokurorinë Shqiptare, diskutimi mbi mbrojtjen e të dhënave personale gjatë hetimit është një çështje shumë e rëndësishme. Kjo çështje është ligjore dhe etike njëkohësisht.
Në radhë të parë, është ligjore, pasi sigurimi i të dhënave personale është e parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në aktet të tjera ligjore.
Po ashtu, është edhe një çështje etike. Çdo person, përfshirë edhe prokurorët, që, për shkak të detyrës përpunon të dhëna personale, duhet domosdoshmërisht të mbrojë integritetin moral dhe personal të qytetarëve.

Për këto arsye, e ritheksoj se ky takim ka një vlerë shumë domethënëse për aktivitetin e Prokurorisë. Dhe, në këtë kuadër, në emër të prokurorëve shqiptarë, u përcjellë falenderime të veçanta bashkëorganizatorit të këtij aktiviteti, Projektin IPA 2010 të Bashkimit Europian.
Mbrojtja e të dhënave personale, krahas detyrimit ligjor, nga ana e prokurorisë është formalizuar edhe me një Memorandum Mirëkuptimi me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ndërmjet dy institucioneve ekziston një komunikim i vazhdueshëm dhe korrekt, me qëllim respektimin rigoroz të ligjit.

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit, Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe një Rregullore të Posaçme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pikërisht, një vit më parë, më 10 Prill 2013, kjo Rregullore ka marrë fuqi detyruese.
Po ashtu, i gjithë stafi i prokurorisë ka nënshkruar një “deklaratë konfidencialiteti”. Nëpërmjet këtij dokumenti, çdo punonjës pranon përgjegjësinë për të respektuar mbrojtjen e të dhënave dhe penalizimin e menjëhershëm disiplinor nëse konstatohen shkelje.
Krahas Rregullores, Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë edhe një Urdhër të veçantë për publikimin e informacioneve nga ana e institucionit. Komunikimi publik realizohet nëpërmjet zyrës së posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, në të cilën i kushtohet një rëndësi të veçantë pikërisht mbrojtjes së të dhënave personale.

Pra, në aspektin formal, nga ana e prokurorisë janë marrë masat e nevojshme me akte nënligjore për respektimin e të dhënave personale.
Gjithësesi, duhet të pranojmë se problemet në këtë drejtim ekzistojnë. Ka ende raste kur, nga burime të konsideruara “të pakonfirmuara”, bëhen publike të dhëna hetimi, ku përfshihen edhe të dhëna personale. Në çdo rast, nga ana e prokurorisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është nisur hetim për nxjerrje sekreti dhe të dhënash personale.
Në këtë pikë, duhet të shprehim vlerësimet për median, e cila, edhe pse mund të ketë në dispozicion nga burime të pakonfirmuara informacione të plota, respekton në përgjithësi të dhënat personale të shtetasve të përfshirë në hetim. Nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm, e konsideroj si një vlerë shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare këtë sjellje të medias. Gazetarët, në shumë raste, dëshmojnë një nivel më të lartë të mbrojtjes së konfidencialitetit se sa persona të ndryshëm që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.

Shqipëria është në një proces të pandërprerë të forcimit të demokracisë. Në këtë kuadër, çdokush që ushtron një funksion publik duhet të jetë i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe ato personale. Organi i prokurorisë e vlerëson një prioritet të veçantë respektimin e të drejtave të njeriut dhe në çdo kohë do të vijojë të jetë garant për mbrojtjen e tyre.

Ju falenderoj të gjithëve për vëmendjen dhe për praninë tuaj. Jam plotësisht i bindur se diskutimet në këtë konferencë do të jenë të nevojshme për rritjen e kapaciteteve të prokurorisë në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit të të dhënave personale”.

 

Data 10.04.2014