Njoftime për Shtyp

Prokuroria, mesazhe të qarta kundër krimit

  Prokuroria, mesazhe të qarta kundër krimit

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është njohur nga afër me gjendjen e kriminalitetit në Mat dhe Lezhë, duke u përqendruar kryesisht te zhvillimet e fundit në këto zona.

Gjatë prezantimit të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, z. Abaz Muça, i cili ka qenë i komanduar në këtë rreth dhe drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, z. Edmond Koloshi, i cili ka ushtruar detyrën në prokurorinë e Durrësit, z. Llalla kërkoi forcimin e politikës penale për të pasur suksese në luftën kundër krimit.

Duke e vënë theksin në veprat penale kundër personit, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh në takimet e zhvilluara ditën e Mërkurë (dt.03.04.2013) se po kërkohet nga trupa e prokurorëve zbatimi me korrektesë maksimale i ligjit. Gjithashtu, z. Llalla u përqendrua edhe në bashkëpunimin e organit të prokurorisë me institucionet e tjera lizgjatuese, ku veçoi Policinë e Shtetit dhe gjykatat.

“Prokurorët, në radhë të parë, duhet të dëshmojnë integritet të lartë moral dhe profesional, si edhe duhet të fokusohen më shumë në mbledhjen e provave dhe fakteve ndaj elementëve kriminalë. Vetëm në këtë mënyrë do të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional, si edhe do të arrihet të dënohen autorët e veprave penale. Pra, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi, më së pari, e prokurorëve. Prokuroria duhet të dëshmojë korrektesë maksimale. Dhe ky mesazh duhet lexuar qartë”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

 

Data: 03.04.2013