Njoftime për Shtyp

Prokuroria nis hartimin e strategjisë afatmesme për antikorrupsionin dhe krimin e organizuar

Brenda muajit Shtator 2014, Prokuroria Shqiptare do të përgatisë Strategjinë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për periudhën 2014-2017. Pikat kryesore; forcimi i kapaciteteve, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe respektimi i Kodit të Etikës.


Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hartimin e strategjisë afat-mesme 2014-2017 për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Këto dy prioritete të rëndësishme, të cilat evidentohen të tilla edhe në Progres-Raportet e Komisionit Europian për Shqipërisë, do të realizohen nëpërmjet Planit të Veprimit, i cili po hartohet nga prokurorë shqiptarë dhe me mbështetjen e ekspertëve të të misionit OPDAT të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ofrimin e ekspertizës në këtë drejtim.

Për hartimin e Strategjisë Afat-mesme, të Enjten (17.07.2014), Grupi i Punës zhvilloi mbledhjen e tij të parë, në të cilën u përcaktuan piketat bazë mbi të cilin do të hartohet ky dokument.
Në Strategji, e cila pritet të përfundojë së hartuari në muajin Shtator 2014, fokusi kryesor do të jetë:
-Forcimi i kapaciteteve në burime njerëzore dhe në rritjen e efektivitetit të hetimit;
-Bashkëpunimi institucional me agjencitë e tjera ligjzbatuese;
-Realizimi i studimeve, analizave dhe vlerësimeve në fusha të caktuara problematike;
-Propozime për amendime të dispozitave apo ligjeve të veçanta, etj.

Ky dokument, i cili do të jetë edhe baza për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ketë të integruar edhe çështjet e etikës, të përcaktuara në Kodin e posaçëm të miratuar në muajin Maj 2014 nga Prokurori i Përgjithshëm.
Kjo Strategjia afat-mesme, e cila është pjesë e rëndësishme e Strategjisë së Prokurorisë së Përgjithshme, miratuar në vitin 2013, synon shtimin e forcës goditëse të institucionit, përmirësimin e metodave të punës hetimore, si edhe në rritjen e shpejtësisë dhe saktësisë së proceseve investiguese. 

 

Data 17.07.2014