Njoftime për Shtyp

Prokuroria për Krime të Rënda urdhëron ndalimin e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri

Prokuroria për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Shkëlqim Miri, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve….”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Prokuroria për Krime të Rënda ka siguruar të dhëna të mjaftueshme, në bazë të të cilave është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Shkëlqim Miri ka marrë shumën prej 30 mijë euro për të lehtësuar pozitën proceduriale të një shtetasi, të akuzuar nga Prokuroria për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të referimit të Policisë Gjyqësore të kësaj prokurorie.

Nga hetimet ka rezultuar se:
Shtetasi Gentian Doda është dënuar, në mungesë, në vitin 2001, nga Gjykata e Matit me 20 vjet burgim për akuzat e vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, në në ngjarje të ndodhur në vitin 1997.
Ai është ekstraduar nga SHBA dhe ka kërkuar rigjykimin e çështjes, me argumentimin se nuk i ishte realizuar mbrojtja e nevojshme në mungesë të tij.

Kërkesa e të pandehurit Doda u pranua nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi rikthimin për gjykim në Gjykatën e Matit.
Kjo gjykatë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, vendosi të dënojë shtetasin Doda me 8 vjet burgim, për akuzat e “plagosjes së rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria e Matit ankimoi vendimin, duke i qëndruar argumentit se i pandehuri Doda duhet të dënohej për “vrasje me paramendim”.
Çështja kaloi në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe në trupin gjykues ishte, ndër të tjerë, edhe gjyqtari Shkëlqim Miri.

Policia Gjyqësore e Prokurorisë për Krime të Rënda siguroi informacionin se, për shqyrtimin e këtij rasti në Gjykatën e Apelit, persona të afërt me të pandehurin Gentian Doda, po siguronin shuma monetare. Këto shuma do të përdoreshin për të mundësua që Gjykata e Apelit Tiranë të linte në fuqi vendimin e gjykatës së Matit dhe të rrëzonte kërkesën e Prokurorisë së Matit.
Në bazë të hetimeve të këtij rasti, u siguruan të dhëna, në bazë të të cilave Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga Gjykata për Krime të Rënda kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.
Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë dhe Prokuroria urdhëroi Policinë Gjyqësore që të kryente kontrollin. Gjatë kësaj procedurë, e kryer në datë 09.11.2017,në shtëpinë e gjyqtarit Miri u gjetën shumat prej 174.810 euro, 1000 usd dhe shuma prej 10.149.000 lekë (të reja).

Është administruar nga organi proçedues kopje e deklaratës së pasurisë të kryer nga shtetasi Shkëlqim Miri në zbatim të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të depozituar në datën 25.01.2017. Nga përmbajtja e kësaj deklarate ka rezultuar se deri në momentin e dorëzimit të deklaratës shtetasi i mësipërm ka deklaruar se zotëron një llogari bankare në shumën 22.643 euro dhe një llogari në shumën prej 63.077 lekë. Kështu që, shumat e gjetura dhe sekuestruara në banesën e shtetasit Shkëlqim Miri, janë shuma që nuk iu përgjigjen të ardhurave të deklaruar më parë prej tij dhe të përfituara në mënyrë të ligjshme në periudhën janar-nëntor 2017.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin e shtetasit Shkëlqim Miri, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”.


Azhornim (dt. 11.11.2017): Gjykata për Krime të Rënda vlerësoi të ligjshëm urdhërin e ndalimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe caktoi ndaj personit nën hetim masën e sigurisë “arrest në burg”