Njoftime për Shtyp

Prokuroria raporton në Kuvendin e Shqipërisë për Gjendjen e Kriminalitetit 2013

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, paraqiti aktivitetin vjetor të institucionit në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si edhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të njeriut, forcimit të kapaciteteve institucionale, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe objektivat për vitin 2014, në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.


Gjatë vitit 2013, organi i Prokurorisë ka përballuar një volum pune në rritje të ndjeshme, krahasuar me një vit më parë. Të dhëna konkrete mbi aktivitetin gjatë vitit të kaluar, bazuar në prioritetet institucionale, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i paraqiti ditën e Mërkurë (dt. 23.04.2014) para deputetëve të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm u fokusua kryesisht në përmbushjen e prioriteteve institucionale; në arritjet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në angazhimin për mbrojtjen e respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Më poshtë është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla,
në Kuvendin e Shqipërisë:

Të nderuar deputetë,
Volumi i punës së Prokurorisë është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2013, krahasuar me vitin 2012. Ky konstatim është rrjedhojë e intensifikimit të punës së prokurorisë, rritjes së bashkëpunimit me institucionet e tjera, si edhe aktivizimit më të madh të qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile.
Aktiviteti institucional është bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, në Rekomandimet e Komisionit Europian të paraqitura në Progres-Raport, si edhe në Rekomandimet e Këshillit të Ministrave.
Gjatë vitit 2013, aktiviteti i prokurorisë është mbështetur në disa prioritetete kryesore:

Lufta Kundër Korrupsionit
Lufta Kundër Krimit të Organizuar
Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të Njeriut
Forcimi i kapaciteteve institucionale

Në Raportin e plotë Mbi Gjendjen e Kriminalitetit, i cili i është dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë, gjenden statistika të plota, tendencat dhe analiza për grup-veprat sipas përcaktimeve të Kodit Penal.
Gjithashtu, në raport është paraqitur niveli i raporteve me agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe ndërkombëtare. Së fundi, në pjesën përmbyllëse të raportit gjenden objektivat e organit të Prokurorisë për vitin në vijim bazuar edhe në strategjinë afatmesme 2013-2015, miratuar në qershor të vitit të kaluar.
Ato që synojmë të prezantojmë sot para jush janë në mënyrë shumë të përmbledhur janë hapat e ndërmarrë në përmbushje të prioriteteve institucionale.
I.
Prioritet kyç i punës së prokurorisë ka qenë dhe vijon të mbetet lufta kundër korrupsionit
Në vitin 2013 ka një rritje prej 22 % të numrit të proçedimeve penale të regjistruara për Vepra Penale Kundër Veprimtarisë Shtetërore të Kryera nga Punonjësit Shtetërorë ose në Shërbim Publik në krahasim me vitin 2012. Në lidhje me të pandehurit, për grup vepra penale kundër korrupsionit, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar prej 18.5% krahasuar me një vit më parë. Është konstatuar një ulje e numrit të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 13 %. Por, ndërkohë, ka rritje të numrit të pandehurve të dënuar nga gjykata me 67% përkundrejt vitit 2012. Referuar këtyre shifrave, duhet theksuar se nga ana e prokurorisë është kryer një analizë më e plotë e fakteve të referuara. Kjo ka ndikuar që një pjesë e kallëzimeve, të cilat nuk kanë qenë të plota, të rikthehen për hetime të mëtejshme. Diçka e tillë ka ndikuar në uljen e numrit të të pandehurve që janë dërguar për gjykim. Nga ana tjetër, për rastet me prova të mjaftueshme, nga ana e prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe janë dërguar me prova në gjykatë. Kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të personave të dënuar, që, siç u theksua më lart, janë 67% më shumë krahasuar me një vit më parë.
- Konstatohet se ekziston frymë pozitive bashkëpunuese në rritje ndërmjet institucioneve. Kjo është shoqëruar me vendosjen para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të niveleve të ndryshme për korrupsion dhe shpërdorim me detyrën.
- Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror është hartuar një platformë e përbashkët për realizimin e hetimeve proaktive në kuadër të hetimeve kundër korrupsionit. Kjo strategji e përbashkët ka dhënë rezultate pozitive.
- Duke vlerësuar ndjeshmërinë e lartë që kanë hetimet për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, gjatë vitit 2013 prokuroria ka vijuar të jetë e angazhuar për rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së hetimeve për rastet korruptive. Nëpërmjet veprimeve të shpejta është synuar të arrihet goditja efektive dhe të forcohet besimi i publikut tek institucionet e zbatimit të ligjit.
- Njësitë e Përbashkëta Hetimore, kanë përmirësuar teknikat e hetimit, si edhe kanë intensifikuar raportet me institucionet e tjera.
- Prokuroria, në fund të vitit 2013 e në vijim, ka hartuar një platformë të veçantë dhe ka ngritur një strukturë të posaçme për hetimin e krimit kibernetik. Kjo është një vepër, hetimi i së cilës është vlerësuar e rëndësishme edhe nga ana e Komisionit Evropian në rekomandimet e tij për institucionet shqiptare.
- Në kuadër të strategjisë antikorrupsion brenda institucionit, prokuroria ka ndërmarrë nisma konkrete për transparencën. Është aktivizuar një adresë on-line për denoncimin e rasteve të dyshuara si abuzive gjatë aktivitetit të prokurorëve. Gjithashtu, është vendosur një standart i ri për publikimin e propozimeve të Këshillit të Prokurorisë për emërimet dhe transferimet e prokurorëve.
Gjatë vitit 2013, publiku dhe çdo i interesuar është vënë në dijeni të kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Prokurorisë dhe mbi vendimmarrjen përfundimtare të Prokurorit të Përgjithshëm.
- Nga ana tjetër, është forcuar roli i Këshillit të Prokurorisë, në dy drejtime të rëndësishme:
Së pari, duke filluar nga viti 2013, Këshilli i Prokurorisë ka nisur proçesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve. Ky proçes zhvillohet për herë të parë dhe do të vijojë të jetë periodik çdo vit.
Së dyti, janë krijuar kushtet që, gjatë proçesit të rekrutimit, emërimit, transferimit dhe shkarkimit të prokurorëve, Këshilli i Prokurorisë, krahas shqyrtimit të anës dokumentare, do të ketë mundësi të marrë edhe opinionin verbal të kandidatëve apo të prokurorëve të propozuar për masa disiplinore
- Rëndësi e posaçme, në kuadër të transparencës institucionale, i është kushtuar raporteve me publikun, median dhe shoqërinë civile.
Në mënyrë të përmbledhur, këto ishin disa prej arritjeve kryesore në kuadër të luftës kundër korrupsionit gjatë vitit 2013. Në tabelat statistikore, të cilat gjenden në brendësi të raportit, janë të paraqitura shifrat e plota mbi ecurinë e këtyre çështjeve.

II.
Krahas, luftës kundër korrupsionit, prioritet kyç i organit të prokurorisë vijon të jetë lufta kundër krimit të organizuar.
- Gjatë vitit 2013, konstatohet një rritje e ndjeshme e proçedimeve penale të dërguara për gjykim, krahasuar me vitin 2012. Para gjykatës janë dërguar rreth 68% proçedime më shumë. Po ashtu, rritje me 54% ka edhe përsa i përket numrit të pandehurve të dërguar për gjykim, krahasuar me vitin 2012.
- Në grupe-veprat penale të krimit të organizuar, vendin kryesor e kanë proçedimet penale për trafikun e lëndëve narkotike. Konstatohet rritje e ndjeshme e referimeve për këtë vepër penale, kjo falë edhe rritjes së numrit të arrestimeve të kryera në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Policisë së Shtetit.
- Konstatohet se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të sasive me lëndë narkotike të sekuestruara gjatë vitit 2013, pjesa më e madhe është bllokuar në flagrancë në pikat e kalimit kufitar. Për të rritur efikasitetin në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, prej fundit të vitit 2013 është hartuar një strategji e përbashkët ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, përfshirë edhe ato të inteligjencës. Kjo strategji synon të faktojë nëpërmjet hetimeve proaktive, përgjegjësinë penale të personave që drejtojnë dhe organizojnë këtë veprimtari të paligjshme. Po ashtu, synohet ndër të tjera, edhe evidentimi dhe bllokimi i kultivimit të lëndëve narkotike në disa zona të Shqipërisë. Në kuadër të kësaj strategjie, Prokuroria në vazhdimësi ka kërkuar realizimin e disa ndryshimeve ligjore për decentralizimin e sistemit të interceptimit, e cila do të ndikonte në rritjen e efikasitetit të hetimeve proaktive.
- Gjatë vitit 2013, numri i proçedimeve për trafik të qënieve njerëzore ka qenë thuajse në të njëjtat vlera me vitin 2012.
- Hetimi për veprën penale të “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka vijuar të jetë një prioritet i punës së prokurorisë edhe gjatë vitit 2013. Konstatohet rritje e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha strukturave të zbatimit të ligjit që janë të angazhuara me parandalimin dhe ushtrimin e ndjekjes penale në fushën e Parandalimit te Pastrimit te Parave dhe Financimit te Terrorizmit.
Vlen për t’u theksuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, është duke u punuar për mundësinë e përftimit të një projekti të ri me objekt “Përmirësimin e luftës kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri”.
- Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2013 konstatohet shtimi i rasteve të bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me strukturat homologe të vendeve fqinje, të anëtarëve të Bashkimit Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rezultatet pozitive kanë ndikuar në forcimin e imazhit të institucioneve shqiptare, duke shtuar në këtë mënyrë shkëmbimin e informacionit për shtetas shqiptarë ose të huaj, të përfshirë në trafiqe të paligjshme.
- Gjatë vitit 2013 janë realizuar disa operacione të rëndësishme ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe strukturave homologe, në goditjen e organizatave kriminale, në përbërje të të cilave ka pasur edhe shtetas shqiptarë që vepronin në Shqipëri dhe në disa vende europiane.
- Gjithashtu, një ndikim pozitiv në punën e Prokurorisë ka patur edhe Projekti Rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”.
- Për forcimin e luftës kundër trafikut ndërkombëtar do të ndihmojë edhe projekti PAMECA IV.
Për të gjitha çështjet që lidhen me krimin e organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, në raportin e plotë jepen të dhëna të detajuara.

III.
Respektimi i të drejtave të njeriut vijon të jetë në fokus të aktivitetit të prokurorisë.

- Vëmendje e veçantë u është kushtuar të pandehurve të mitur. Në këtë kuadër, në nëntor të vitit 2013, Prokurori i Përgjithshëm nxorri një Udhëzim të posaçëm, ku kërkohet vemendje dhe përgjegjshmëri më e lartë e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në trajtimin dhe ushtrimin e ndjekjes penale të çështjeve ku përfshihen të miturit.
- Po ashtu, është kërkuar nga prokurorët të kenë një rol më aktiv në respektimin e të drejtave të njeriut. Një nismë e tillë, krahas përcaktimeve ligjore, vjen edhe në përmbushje të Rekomandimeve të Komitetit të Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës, paraqitur në vitin 2012, lidhur me rastet e raportuara të keqtrajtimeve të personave të ndaluar apo arrestuar në ambjentet e paraburgimit.
- Në frymën e konventave ndërkombëtare, janë orientuar prokurorët që rastet e keqtrajtimit në ambjentet e paraburgimit të trajtohen me kujdes dhe prioritet për të bërë një cilësim të drejtë ligjor të akuzave që mund të lidhen me veprën penale të “torturës”, krahas rasteve të “shpërdorimit të detyrës” apo “veprimeve arbitrare”.
- Në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ende është problem mungesa e institucioneve të posaçme për trajtimin e personave ndaj të cilëve gjykata vendos masën mjekësore“mjekim i detyruar”.

IV.
Krahas forcimit të hetimit, organi i prokurorisë i ka kushtuar rëndësi gjatë vitit 2013 edhe forcimit të kapaciteteve të brendshme
- Është vlerësuar se organi i prokurorisë, për rezultate më të larta në ndjekjen penale, kishte nevojë për “rifreskim dhe riorganizim”. Kjo, nisur nga fakti se disa prokurorë kishin vite në nivele drejtuese ose në të njëjtën prokurori, gjë që sjell vetëvetiu një familjaritet të tepruar me problematikën kriminale në një territor të caktuar. I gjithë proçesi i transferimeve është realizuar në përputhje me ligjin organik dhe në transparencë të plotë.
- Proçesi i konkurimit për vendet drejtuese dhe emërimet e reja ka qenë i hapur dhe do të vijojë të jetë i tillë, duke aplikuar në këtë mënyrë një standart të ri transparence institucionale.
- Është punuar për forcimin e kontrollit të brendshëm. Në përmbushje të këtij funksioni, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2013 kanë ushtruar kontrolle të ndryshme. Në konkluzion të kontrolleve, për shkeljet ligjore të evidentuara është filluar proçedimi disiplinor ndaj disa prokurorëve.
- Për herë të parë, gjatë vitit 2013 u realizua vlerësimi i punës dhe aftësive profesionale e morale të prokurorëve. Nga drejtuesit e prokurorive të rretheve është bërë vlerësimi për rreth 280 prokurorë dhe 145 oficerë të policisë gjyqësore për aktivitetin e tyre gjatë vitit 2012. Duhet pranuar fakti se, duke qenë një proçes që zhvillohet për herë të parë, ka hasur disa problematika teknike, të cilat tashmë janë tejkaluar.
- Në kuadër të forcimit të kapaciteteve institucionale, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore kanë marrë pjesë në kurset e trajnimit të vazhdueshëm të zhvilluar nga Shkolla e Magjistraturës, si edhe në seminaret e organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,misionit OPDAT.
- Po ashtu, në të gjithë strukturën e Prokurorisë po përfundon infrastruktura logjistike dhe elektronike për Sistemin e Menaxhimit të Rasteve. Ky projekt, i financuar nga Bashkimi Europian, konsiderohet si një ndër risitë kryesore të aktivitetit të institucionit në vitet e fundit, synon përmirësimin e infrastrukturës elektronike të prokurorive. Ai sjell të paktën tre elementë domethënës në punën e prokurorisë,së pari: gjeneron të dhëna në kohë reale,së dyti: koordinon në kohë reale bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe së treti: që në momentin e referimit të rasteve dhe më tej në fazat e tjera të hetimit forcon kontrollin e brendshëm në radhët e prokurorisë.

Të nderuar deputetë,
Gjatë vitit 2013, prokuroria ka trajtuar 42.175 materiale kallzuese. Janë ndjekur 22% proçedime penale më shumë se viti 2012, janë regjistruar 25% proçedime penale më shumë. Është vendosur mosfillimi për 5% proçedime penale më pak se një vit më parë. Është përfaqësuar akuza në gjykatë për 12% raste më shumë se një vit më parë. Po ashtu, është rritur me 6.5% më shumë numri i të pandehurve.
Në tërësinë e veprave penale të regjistruara gjatë vitit 2013, të analizuara me detaje në raportin e plotë, në mënyrë të përmbledhur po trajtojmë disa nga veprat më specifike, të cilat kanë pasur impakt dhe vëmendje të përqëndruar në hetimin e tyre.
I.
- “Krime kundër jetës të kryera me dashje” përbën një nga grupet e veprave penale që kërkojnë vëmendje maksimale. Nga të dhënat statistikore, rezulton se në vitin 2013 ka një rritje prej 9,6 % të numrit të proçedimeve penale të regjistruara për këtë grup veprash në krahasim me vitin 2012. Gjithësesi, duhet theksuar se ka ulje në veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.
- Për veprën penale “Vrasje për gjakmarrje” janë regjistruar vetëm 2 proçedime penale gjatë vitit 2013. Ndërkohë që nga ana e prokurorisë i është kushtuar vëmendje e veçantë veprës penale “kanosjes për gjakmarrje”, e cila lidhet me fenomenin e ngujimit. Nga prokuroritë e rretheve gjyqësore në veri të Shqipërisë, ku është edhe më i përhapur ky fenomen, është hartuar një plan konkret për evidentimin dhe më pas regjistrimin e proçedimeve penale për veprën penale të “kanosjes për gjakmarrje”.

- Në kuadër të hetimit për veprën e “kanosjes për gjakmarrje”, prokuroria ka vendosur para përgjegjësisë ligjore edhe të zgjedhur vendorë, të cilët shpërndajnë në mënyrë abuzive dokumenta fallso për persona si të përfshirë në gjakmarrje. Këto dokumenta përdoren më pas nga shtetas shqiptarë për të kërkuar azil në vende të Bashkimit Europian. Ky shqetësim i është bërë prezent Prokurorisë së Përgjithshme edhe nga strukturat homologe. Për goditjen e këtij fenomeni, i cili mund të ndikojë edhe në imazhin e Shqipërisë, prokuroria ka intensifikuar hetimet për zyrtarët lokalë që hartojnë dokumenta të fallsifikuara për persona si të përfshirë në gjakmarrje.
- Krimi në familje ka qenë sërish në fokus të punës së prokurorisë. Me amendimet e Kodit Penal të vitit 2013, kompetente për hetimin e “vrasjes për shkak të lidhjeve familjare” është Prokuroria për Krime të Rënda. Gjatë vitit 2013, për të gjitha rastet që ka përfunduar hetimi, prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal të parashikuara nga dispozita. Kjo kërkesë do të vijojë të jetë permanente edhe për çështjet që janë në hetim dhe gjykim.
II.
- Gjatë vitit 2013 konstatohet angazhim specifik i organeve të drejtësisë lidhur me evidentimin, hetimin dhe dënimin e “veprave penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes”. Gjithashtu, konstatohet rritje e ndjeshme e rasteve të referuara lidhur me këto vepra. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2013 ka një rritje prej 154 % të numrit të proçedimeve penale të regjistruara për “Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes” në krahasim me vitin 2012. Në vlerësimin e organit të Prokurorisë, kjo rritje është rrjedhojë e forcimit të besimit të publikut tek institucionet.
Nga hetimet e pjesës më të madhe të rasteve, rezulton se viktimat kanë qenë në ushtrimin e dhunës për një kohë të gjatë dhe janë ndërgjegjësuar për raportimin e këtyre rasteve pranë organeve shtetërore. Gjithashtu, vlerësojmë se një rol pozitiv në shtimin e kallëzimeve për këtë vepër penale ka dhënë edhe media.
- Gjatë vitit 2013, janë referuar 4 raste dhe janë regjistruar të gjitha si proçedime penale për veprën penale të “detyrimit të fëmijëve….për të lypur”.Faktikisht, numri i referimeve për këtë vepër penale është në shifra të ulta. Nga aplikimi në praktikë i nenit që parashikon këtë vepër penale, ka rezultuar një problematikë specifike. Në rastet e proçeduara gjatë vitit 2013, por edhe në vitet e mëparshme, ka rezultuar se, të miturit janë detyruar për të lypur nga ana e prindërve ose familjarëve të tyre të afërt. Ndërkohë, që nuk ekzistojnë institucione të posaçme për të përfshirë në jetën sociale të miturit që janë të detyruar të lypin. Pra, nga aplikimi me burgim për prindërit e të miturve, sipas dispozitës, nuk zgjidhet e ardhmja e të miturve. Pra, ekzistojnë sërish mundësitë dhe rreziku që këta të mitur, me probleme të theksuara ekonomike, të rikthehen sërish për të lypur, apo të përfshihen në veprimtari të tjera kriminale.
Gjithsesi, nga ana e saj, Prokuroria do të vijojë që të ndjekë penalisht sipas përcaktimeve ligjore çdo rast që lidhet me shkeljet e nenit që parashikon detyrimin e fëmijëve për të lypur.
III.
- Ndër veprat që kanë pësuar rritjen më të madhe të proçedimeve gjatë vitit 2013 vlerësohet “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar në nenin 199/a të Kodit Penal. Referuar statistikave, në vitin 2013 konstatohet rritje në shifrën 579% më shumë, krahasuar me vitin 2012. Organi i Prokurorisë ka qenë veçanërisht i angazhuar në goditjen e fenomenit të ndërtimeve të paligjshme, të cilat kanë shtrirje të gjerë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por me një përqëndrim më të madh në zonën bregdetare të vendit. Në shtator të vitit 2013, Prokurori i Përgjithshëm shpërndau një qarkore të posaçme lidhur me hetimin e këtyre veprave. Ky dokument u vlerësua si domosdoshmëri, nisur nga fakti se vërehej ulje e ndjeshme e rasteve të referuara në prokurori për këtë vepër nga ana e autoriteteve përgjegjëse për evidentimin dhe parandalimin e tyre. Ndikim të rëndësishëm në shtimin e numrit të referimeve për këtë vepër penale kanë dhënë edhe angazhimi së fundi i strukturave të pushtetin ekzekutiv.
- Gjatë vitit 2013 konstatohet rritje e ndjeshme në regjistrimin e procedimeve penale për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Krahasuar me vitin 2012, në vitin 2013, janë regjistruar 353 % proçedime penale më shumë. Këtu vlen për t’u veçuar impenjimi i shtuar i strukturave të Policisë së Shtetit për referimin e këtyre shkeljeve ligjore.
- Rritje e konsiderueshme e procedimeve penale gjatë vitit 2013 konstatohet për veprat penale, në seksionin “Zhvillimi i palejuar i lojrave të fatit”. Rezulton se në vitin 2013 ka një rritje të madhe prej 197% të numrit të proçedimeve të regjistruara për veprën penale zhvillimi i palejuar i lojrave të fatit, në krahasim me vitin 2012. Në rritjen e referimeve për këtë grup veprash ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtaria gjatë muajve të fundit të administratës tatimore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
- Nga të dhënat statistikore, rezulton se numri më i madh i proçedimeve penale të regjistruara për vitin 2013 vijon të mbetet grupi i veprave penale “vjedhje e pasurisë”. Konstatohet se ka rritje të proçedimeve penale për “vjedhja me dhunë” prej 43 % krahasuar me vitin 2012. Ndërkohë, është shënuar ulje në proçedimet penale për “vjedhje me armë”, e cila shënon 22% më pak se një vit më parë dhe “vjedhja me pasojë vdekjen”, e cila ka ulje prej 75 % krahasuar me vitin 2012.
-Nga të dhënat statistikore rezulton se “Vjedhja” përbën dhe veprën penale ku është përfshirë numri me i madh i të pandehurve të mitur, ku nga 911 të pandehur të mitur të regjistruar, 463 prej tyre ose 51% kanë kryer këtë vepër penale.

Të nderuar deputetë,
Më lart ju prezantuam, në vija të përgjithshme, aktivitetin institucional për vitin 2013.
Gjatë vitit 2014, në fokus të organit të Prokurorisë do të vijojnë të jenë çështjet prioritare; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
- Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, do të kërkohet nga prokurorët rritja e shpejtësisë dhe eficencës së ndjekjes penale dhe shtimi i rasteve të hetimeve proaktive. Po ashtu, prokurorët e ngarkuar me çështjet e korrupsionin janë orientuar të shtojnë numrin e hetimeve kryesisht. Në fokus do të vijojë të jetë përmirësimi dhe rritja e vazhdueshme e bashkëpunimit me të gjitha institucionet që kanë shërbime të Policisë Gjyqësore.
- Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, do të vijohet bashkëpunimi me agjencitë vendase dhe të huaja. Prokuroria do të vijojë të mbështesë veprimet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Përsa i përket raporteve me agjencitë homologe, vlerësojmë të domosdoshëm përditësimin e legjislacionit të brendshëm në fushën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Po ashtu, nisur nga ngarkesa e çështjeve, vlerësojmë se është i nevojshëm nënshkrimi i Marrëveshjeve për çështjet penale me vende si, Belgjika, Greqia etj.
- Në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut, Prokuroria do të vijojë të zhvillojë raporte intensive me institucionet si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen për të Dhënat Personale etj., por edhe me organizatat joqeveritare që kanë në fokus këto çështje.
- Kontrolli i brendshëm do të forcohet ndjeshëm gjatë periudhës në vijim. Kjo do të arrihet së pari nëpërmjet konsolidimit të sistemit të vlerësimit dhe kontrollit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme mbi aktivitetin e prokurorëve të shkallëve më të ulta.

Të nderuar deputetë,
Në mënyrë shumë të përmbledhur, ju prezantuam aktivitetin e prokurorisë për vitin 2013. Ju garantojmë se organi i Prokurorisë do të vijojë të jetë i vendosur në luftën kundër kriminalitetit në përmbushje të prioriteteve dhe rekomandimeve të agjencive bashkëpunëtore.

Ju falenderoj për vëmendjen dhe mbështetjen!

Data 23.04.2014