Njoftime për Shtyp
Prokuroria, sfidat e integrimit përballohen me bashkëpunim.
Prokuroria, sfidat e integrimit përballohen me bashkëpunim.
Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit trepalësh Prokurori-Ministri e Brendshme-SHISH
I nderuar z. Ministër i Brendshëm
I nderuar z. Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shtetëror
Të nderuar të pranishëm,
Marrëveshja që po nënshkruajmë sot përkon me një situatë shumë të rëndësishme, kur po diskutohet marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, tre institucionet tona shprehin vullnetin maksimal për të përmbushur ato që konsiderohen kryeprioritete për integrimin në familjen evropiane.
Çështjet që janë objekt i marrëveshjes së sotme përbëjnë pikërisht thelbin e rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe janë ato problematika që gjenden në fokusin kryesor të aktivitetit të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese.
Prokuroria Shqiptare është e angazhuar maksimalisht në luftën kundër korrupsionit. Kjo është një sfidë e vazhdueshme dhe që kërkon impenjimin maksimal dhe reagim të përbashkët ndërinstitucional.
Po ashtu, krimi i organizuar është një tjetër sfidë, e cila kërkon një vëmendje të veçantë. Konstatoj me kënaqësi se ka një rritje të besueshmërisë së partnerëve tanë ndërkombëtarë karshi institucioneve të drejtësisë shqiptare. Kjo është rrjedhojë e impenjimit të Shqipërisë në finalizimin me sukses të disa aksioneve të përbashkëta ndërkombëtare për arrestimin e shtetasve të përfshirë në organizata të strukturuara kriminale.
Po aq e rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri është edhe mbrojtja e regjimit të tokës nga ndërtimet e paligjshme. Pak muaj më parë, Prokuroria e Përgjithshme nxorri një qarkore, në të cilën kërkohej nga e gjithë struktura në nivelin bazë që të nisnin hetime kryesisht për ndërtimet e paligjshme. Kjo iniciativë u pasua edhe nga angazhimi i strukturave të tjera që janë të ngarkuara me ligj për të evidentuar dhe ndëshkuar ndërtimet e paligjshme.
Përballimi i problematikave të lartpërmendura është pikërisht arsyeja që tre institucionet tona sot janë këtu për të formalizuar bashkëpunimin që ekziston edhe në terren.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shoqëria dhe institucionet shqiptare janë impenjuar që vendi ynë të ecë përpara drejt integrimit europian. Ne i kemi të gjitha mundësitë që këtë rrugë ta vazhdojmë.
Ju faleminderit