Njoftime për Shtyp

Prokuroria shqiptare, politikë të qartë transparence

Prokurori i Përgjithshëm zhvillon takim me përfaqësuesit e Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë (CCEJ). Diskutime konkrete mbi përmirësimin e bashkëpunimit prokurori-media

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, shprehu vlerësimet e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me median shqiptare, duke e cilësuar si një partner të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve ligjore e institucionale.
Këto komente, z. Llalla i bëri gjatë një takimi me përfaqësues të Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë (CCJE), të cilët gjenden në Shqipëri si pjesë e një takimi trajnues për rolin e sistemit gjyqësor dhe bashkëpunimi me median në Shqipëri.
Z. Llalla iu përgjigj interesit të zyrtarëve të CCEJ-së lidhur me praktikat e ndjekura nga Prokuroria Shqiptare për komunikimin me publikun dhe realizimin e transparencës.

Prokurori i Përgjithshëm theksoi se institucioni bazohet në disa parime të qartë për bashkëpunimin me median, të cilat realizohen nëpërmjet një politike të qartë transparence, në respektin reciprok me të gjithë mediumet, si edhe me qëndrimin reaktiv në publikimin e të dhënave që kanë interes specifik në publik.
Gjithashtu, z. Llalla u prezantoi ekspertëve ndërkombëtare se Prokuroria Shqiptare e ka të standartizuar mënyrën e komunikimit publik nëpërmjet akteve përkatëse normative dhe nënligjore. “Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një urdhër të posaçëm që rregullon publikimin e informacionit. Po ashtu, edhe në Kodin e Etikës së Prokurorëve, miratuar në vitin 2014, janë përcaktuar sanksionet për çdo prokuror që publikon të dhëna hetimore, të cilat mund të cënojnë procesin në vijimësi”, u shpreh z. Llalla.

Duke iu përgjigjur kërkesës së përfaqësuesve të CCEJ-së lidhur me mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit, Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi si shumë të domosdoshëm angazhimin e strukturës ndërkombëtare për realizimin e trajnimeve të përbashkëta ndërmjet prokurorëve dhe përfaqësuesve të medias. Kjo kërkesë, si edhe asistenca për përmirësimin e mëtejshëm të ligjit mbi prokurorinë u mbështetën nga zyrtarët e CCEJ-së, të cilët shprehën gatishmërinë për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me prokurorinë shqiptare.

Data 19.01.2015